Autori i dyshuar i sulmit me armë në metronë e Nju-Jorkut, i identifikuar si Frank James, është arrestuar në lagjen “East Village” të qytetit këtë të mërkurë, pas një “gjuetie” të nisur që një ditë më parë, në të cilën morën pjesë disa agjenci ligjzbatuese amerikane.
Ai u pikas nga një kalimtar i rastit në një rrugë të Nju-Jorkut dhe më pas, forcat e policisë e lokalizuan në Manhatan.
Një ditë më parë ai qëlloi me armë disa persona në një tren në Bruklin dhe arriti të largohet edhe pse e gjithë zona, dhe, në fakt, i gjithë qyteti i Nju-Jorkut, është i mbushur me kamera në çdo cep.
62-vjeçari kishte postuar më parë video në rrjetin social YouTube rreth dhunës, dallimeve racore dhe kriminalitetit në Nju-Jork.
Ai jetonte i vetëm në Uiskonsin dhe më 20 mars kishte marrë me qira një furgon, për të udhëtuar përmes shteteve të ndryshme si Illinoi, Indiana, Pensilvania dhe më pas në Nju-Xhersi. Më pas mësohet se kishte marrë me qira një kamionçinë për transport mallrash në Nju-Xhersi të cilin e kishte lënë në Bruklin.
Më pas u filmua duke u futur në metro, dhe për disa orë u zhduk, për të dalë përsëri në skenë rreth orës 8:30 kur shpërtheu një tymuese dhe qëlloi me armë në tren. Nga 29 personat e shtruar në spital si pasojë e sulmit në metro, 10 vijonë të mbeten aty me plagë të rënda, thanë autoritetet.
Motivet e sulmit janë ende të paqarta. Shefi i Policisë së Nju-Jorkut tha se ngjarja nuk po hetohet si sulm terrorist, por nuk e kanë përjashtuar si mundësi ende.