Njëri nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës ,Kadri Veseli dhe ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Lushtaku, në rrjetin social Facebook, ka postuar një fotografi nga Haga, ku shihet i shoqëruar nga dy persona dhe ku kanë shpalosur flamurin me logon e Ushtrisë Çlirimtare.
“Të fala nga Çlirimtarët”, ka shkruar Lushtaku.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas Dhomave të Specializuara, këto krime janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.
Prokuroria pretendon se këto krime të prezantuara në aktakuzë janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë, si dhe në disa të tjera në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Pretendimet për këto krime të supozuara janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.