Me rastin e 20- vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, policia Federale e Gjermanisë i ka dhuruar donacion 10 automjete Policisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se ka rastisur që sot në 20 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës të marrin 10 automjete donacione nga Policia e Gjermanisë.
Sipas tij, ky donacion tregon bashkëpunimin e Policisë së Kosovë me atë të Gjermanisë me qëllim të luftimit të krimit.
“Kjo tregon për mbështetjen që Policia e Kosovës e ka nga partnerët tanë strategjik dhe nuk është hera e parë që Policia Gjermane përkrah Policinë e Kosovës kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe besoj që do shkoj duke u rritur në vazhdimësi meqenëse edhe qëllimi i Policisë së Kosovës dhe Policisë Gjermane është që bashkarisht të që të luftojmë krimit dhe të ketë sa më pak krim në Kosovë në Gjermani dhe në Evropë”, tha ai.
Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Policinë Federale Gjermane, Thomas Przybyla, tha se me dorëzimin e këtyre veturave po hedhin një hap tutje drejt forcimit të bashkëpunimit në mes Policisë së Kosovës dhe asaj Gjermane.
“Sot është një ditë e mirë për Policinë e Kosovës si dhe për Policinë Federale të Gjermanisë, me dorëzimin e këtyre veturave të policisë ne hedhim një hap tutje drejt forcimit të bashkëpunimit i cili ka filluar duke bërë trajnime të përbashkëta, dhe ne presim që të hedhim hapa tjerë sa i përket dorëzimit të pajisjeve tjera, kështu që shfrytëzoj rastin për ta uruar Policinë e Kosovës në 20 vjetorin e saj dhe për t’i falënderuar për ftesën”, tha ai.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Christian Heldt tha se në këtë vit jubilar për Policinë e Kosovës qeveria gjermane ka ofruar një dhuratë të mrekullueshme për Policinë e Kosovës që janë 10 automjetet për Policinë kufitare.
Ai ka theksuar edhe njëherë mbështetjen e qeverisë gjermane për Policinë e Kosovës me qëllim të sundimit të ligjit.