Raketat stinger që lëshohen nga një platformë që mbahet mbi sup, janë shumë të kërkuara në Ukrainë ku kanë ndaluar me sukses sulme ruse nga ajri, por furnizimet amerikane janë tkurrur kohët e fundit dhe prodhimi i më shumë armëve të tilla anti ajrore përballet me shumë telashe.
Sfidat përfshijnë komplikime të lidhura me rritjen e prodhimit, hezitimin nga SHBA për të ridrejtuar kapacitetet prodhuese të teknologjisë të vjetër me dekada dhe frika mes kompanive të mbrojtjes është se ato do të ngeceshin tek këto armë të padëshiruara kur lufta e ukrainës të përfundojë.
Ndërsa trupat amerikane kanë përdorim të kufizuar të raketave Stinger, një armë e lehtë, e lëvizshme që mund të dislokohet shpejt për mbrojtje kundër sulmeve me helikopterë, avionë, dronë e madje edhe raketa kruiz, SHBA duhet të vazhdojë të ketë rezerva të saj ndërkohë që zhvillon edhe gjeneratën e re të sistemeve mbrojtëse ajrore, portative.
“Para luftës në Ukrainë, ne do të duhej të cliroheshim vetë nga Stingerat”, thotë një burim nga kongresi amerikan për CNN. Sidoqoftë, zyrtarët e Pentagonit janë të shqetësuar se rezervat tani po mbarojnë. Trupat ukrainase kanë rrëzuar të paktën gjashtë shënjestra gjatë konfliktit duke përdorur raketat stinger, mes tyre helikopterë, avionë, dronë dhe një raketë kruiz. Që nga shkurti, SHBA ka dërguar 1400 raketa stinger në Ukrainë.
Linja e prodhimit të këtyre raketave është mbyllur në dhjetor 2020, dhe zëvendësimi i tyre do të jetë i vështirë. Sidoqoftë, në plan afatgjatë, ushtria amerikane po kërkon për një zëvendësim për stingerin, që do të hyjë në prodhim jo më parë se 2027-ta.