Një 26-vjeçar ka vdekur pas plagëve të marra nga arma zjarrit në fshatin Greikoc të Suharekës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Gashi ka thënë se rreth orës 15:55, Spitali Rajonal i Prizrenit ka pranuar një pacient në gjendje të rëndë, dhe përkundër përpjekjeve të mjekëve, i njëjti më vonë ka ndërruar jetë.
Rasti sipas tij është cilësuar si vdekje e dyshimtë, pasi afër shtëpisë së viktimës është gjetur një armë e tipit AK47, që dyshohet se është përdorur në këtë rast.
“Pas marrjes së informatës, njësitë e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, në fshatin Greikoc të Suharekës dhe në një objekt përcjellës, 20 deri në 30 metra larg shtëpisë së viktimës, është gjetur një armë AK-47 e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe rasti është duke u trajtuar si “Vdekje e dyshimtë””, ka deklaruar Gashi.
Më tej ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet relevante dhe po merren me detajet e rastit.
Ndërkaq, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për procedura të mëtutjeshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Raportohet se viktima është Faton Haxhaj, djali i dëshmorit Haxhi Haxhaj.