Liverpooli është kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Villarrealin pas triumfit edhe në ndeshjen kthyese gjysmëfinale (3-2).
Takimi i parë i zhvilluar në Anfield u mbyll me fitoren prej 2-0 të Redsave, ndërsa ekipi anglez fitoi edhe në sfidën kthyese në Estadio de la Ceramica (3-2) për t’u kualifikuar tutje me rezultat të përgjithshëm prej 5-2.
Gjithçka nisi mirë për Nëndetësen e Verdhë në fraksionin e parë, në të cilin arriti të realizonte dy herë. Etienne Capoue reagoi para portës duke asistuar te Boulaye Dia dhe ky i fundit e futi topin në rrjetë (3’).
Kur po afroheshin minutat e fundit të gjysmës së parë, Capoue priti një top në krahun e djathtë dhe dhuroi një harkim të mrekullueshëm në zonë, ku e priti Francis Coquelin për të realizuar me kokë (41’).
Mirëpo, strategjia e Jurgen Klopp dhe inkuadrimi i Luis Diaz ndryshoi gjithçka në fraksionin e dytë duke sjellë përmbysjen e rezultatit.
Mohamed Salah asistoi në zonë te Fabinho dhe ai shënoi nga një pozitë e vështirë nën këmbët e portierit vendas (62’) për ngushtimin e rezultatit.
Një harkim të Trent Alexander-Arnold e priti në zonë Luis Diaz për të realizuar me kokë (67’), pasi intervenimi i portierit sërish ishte i pasuksesshëm.
Dhe për t’i dhënë fund çdo dileme, Sadio Mane shfrytëzoi vizionin e Naby Keitas me një asistim fantastik dhe daljen e gabuar të portierit Geronimo Rulli, e kaloi atë dhe një mbrojtës për ta shënuar golin e nokautit (74’).
Në finale, Liverpooli do ta presë fituesin e duelit ndërmjet Real Madridit dhe Manchester Cityt.