Duka dhe Dukesha e Sussex-it janë parë në festimet e Jubileut të Platintë në paraqitjen e tyre të parë publike në Mbretërinë e Bashkuar që kur u larguan si anëtarë të familjes mbretërore, më shumë se dy vjet më parë.
Çifti mbretëror u pa duke parë paradën e ditëlindjes së Mbretëreshës “Trooping the Colour” nga Zyra e Gjeneral Majorit me pamje nga Parada e Rojeve të Kuajve.
Harry dhe Meghan u fotografuan edhe duke biseduar me Dukën e Kentit, kushëririn e Mbretëreshës, 86 vjeç, i cili qëndroi me ta në ballkonin e Pallatit Buckingham për të parë pjesën e fundit të “Trooping the Colour”.
Harry dukej se kishte veshur një kostum në vend të uniformës ushtarake, pasi atij iu hoqën titujt e nderit, pasi u largua nga familja mbretërore.
Ata u panë më vonë duke shëtitur me një makinë nëpër Londër, ndërsa Meghan u buzëqeshi fansave mbretërorë përmes xhamit të hapur të makinës.
Çifti dhe dy fëmijët e tyre fluturuan për në Mbretërinë e Bashkuar nga Kalifornia këtë javë përpara festimeve për të shënuar mbretërimin 70-vjeçar të Mbretëreshës.
Duka dhe dukesha u larguan si anëtarë të familjes mbretërore në janar të vitit 2020 dhe thanë se do të ndajnë kohën e tyre midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut.
Vendimi i tyre erdhi pas një pushimi të gjatë për Krishtlindje në ishullin Vancouver në Kanada, ku më pas qëndruan për dy muaj e gjysmë të tjerë përpara se të transferoheshin në Kaliforni.
Ndërkaq Princi Andrew, Duka i Jorkut, nuk do të bashkohet me anëtarët e familjes në ceremoninë për jubileun e Platintë në Katedralen e Shën Palit në Londër të premten pasi rezultoi pozitiv me koronavirus.
“Pas kryerjes së një testi rutinë, Duka ka rezultuar pozitiv me Covid dhe me keqardhje nuk do të marrë më pjesë në shërbimin e nesërm”, tha burimi mbretëror për CNN.
Princit Andrew iu hoq detyrat mbretërore dhe titulli i tij HRH në janar pas padisë së tij civile për sulm seksual në SHBA. Që atëherë ai e ka zgjidhur atë padi jashtë gjykatës, por shoqëria e tij e gjatë me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein e ka dëmtuar rëndë reputacionin e tij dhe përfshirja e tij në fundjavë kishte ngritur pikëpyetje të sikletshme për organizatorët.