Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, derisa është nisur për të marrë pjesë në samitin e radhës të nismës ‘Ballkani i Hapur’ është ndalur në pikën kufitare Qafë Thanë, ku është vendosur në mënyrë ilegale tabela me mbishkrimin e kësaj nisme.
Kjo sepse për të vendosur tabela në pikat hyrëse të vendit, duhet ndryshuar ligji, pasi gjithçka është e rregulluar.
Kryeministri shqiptar vazhdon të këmbëngulë se ‘Ballkani i Hapur’ është një projekt nga i cili do të përfitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai gjatë rrugës për në Ohër, ku do të mbahet samiti, përmes një video postimi në Facebook, nga vendkalimi kufitar në Qafë Thanë ka thënë se nisma e ‘Ballkanit të Hapur’ ka sjellë përfitime dhe rezultate konkrete në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe njohjes reciproke të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO).
‘Më pak kontrolle fizike dhe të dokumentacionit në krahasim me operatorët ekonomikë të tjerë;
Trajtim prioritar dhe njoftim prioritar në rast seleksionimi për kontroll doganor;
Mundësi për të kërkuar hapësira specifike përveç zyrave doganore për kontrollet e doganës’, ka shkruar Rama, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, një ditë para se të mbahet ky samit, pasi Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ndaluan fluturimin e aeroplanit të tij mbi hapësirën ajrore të tyre për një vizitë zyrtare Beogradin, i zemëruar deklaroi se ‘udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit’.
Sipas gezetës serbe, Danas, Lavrov në fakt ka pranuar se ideja e kujt është ‘Ballkani i Hapur’.
Bashkimi Evropian nuk ka dashur të komentojë deklaratën e diplomatit rus, duke thënë se i njëjti është në listën e sanksioneve nga BE-ja.
Kështu është shprehur për Telegrafin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
‘Ne nuk shohim të nevojshme të komentojmë qëndrimet e Lavrov, i cili është në listën e sanksioneve të BE-së për promovimin e agresionit të paligjshëm që minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe që është i përfshirë në përhapjen e dezinformatave’, ka thënë Stano.
I pyetur se a e mbështetë Bashkimi Evropian iniciativën e ‘Ballkanit të Hapur’, Stano tha se komisioneri Oliver Varhelyi do të marrë pjesë të mërkurën në samitin e ‘Ballkanit të Hapur’ që po mbahet në Ohër.
Ndërsa, Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka vlerësuar se ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ia ka dhënë ‘puthjen e vdekjes’ iniciativës ‘Ballkani i Hapur’.
‘Ashtu si falënderimi që shkon për Putinin për ‘freskimin’ e NATO-s, komplimente për Sergei Lavrov që i dha puthjen e vdekjes iniciativës Ballkanit të Hapur’, ka shkruar fillimisht Joseph në Tëitter, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, Ballkani i Hapur është iniciativë që është duke u mbështetur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina vazhdojnë ta refuzojnë, me Malin e Zi që ka dhënë sinjale se mund t’i bashkohet kësaj iniciative.
Në këtë samit, përveç tri bashkëthemelueseve të ‘Open Balkan’, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të marrin pjesë si vëzhguese dhe Bosnjë-Hercegovina me përfaqësues të saj dhe Mali i Zi, me kryeministrin Dritan Abazoviq.
Për mospjesëmarrje në këtë nismë, Kosovën e ka kritikuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ajo ‘merret me teori konspirative, në vend se të jetësojë bashkëpunimin’.
Shtetet e Bashkuara, përmes të të dërguarit të tyre për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë shprehur bindjen se nëse ‘Ballkani i Hapur’ nuk përfshin të gjashtë shtetet e rajonit, nisma nuk do të funksionojë.
Në një konferencë të nismës, që është mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Beograd, Escobar ka thënë se iniciativat rajonale duhet të jenë në mënyrë të barabartë të hapura për të gjitha shtetet.