Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi, njoftoi se lideri i opozitës në Bullgari, ish-kryeministri Boyko Borissov, ka pranuar negociatat me Maqedoninë e Veriut, sipas propozimit francez.
“Presim që qeveria bullgare të bëjë propozimet e nevojshme në Parlament, në mënyrë që Europa të ecë përpara”, shkroi Varhelyi në Twitter.
Qeveria e Bullgarisë përballet sot me një mocion mosbesimi. Shkak për këtë lëkundje të koalicionit, i cili u formua 6 muaj më parë me zotimin se do të luftojë korrupsionin endemik, u bë kontesti me Maqedoninë e Veriut.
Mocioni i mosbesimit u ngrit nga njëra prej partive përbërëse të koalicionit qeverisës, që kundërshton linjën e butë të Petkovit ndaj Shkupit lidhur me lejimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në pa zgjidhur mosmarrëveshjet.