Atë që nuk mundi të bënte vitin e kaluar me meshkujt, Anglia ia arriti këtë vit. Uemblli plot me 87 mijë tifozë dhe e gjithë Anglia është në festë pas fitores në kampionatin europian të futbollit për femra, pas një finale emocionuese ndaj Gjermanisë, e fituar 2-1 në kohën shtesë.
Statistikat ishin të gjitha kundër britanikeve. Në dy finale, ata i kishin humbur të dyja, ndërkohë që gjermanet kishin një rekord prej tetë fitoresh në po aq finale.
Gjermanet mund të dëshpërohen për fatin e keq që i hoqi golashënuesen më të mirë të turneut, Popp, gjatë ngrohjes, si dhe lojtare të tjera për COVID, por britaniket merituan në finale.
Pas një pjese të parë ku Gjermania pati rastet më të mira, ndeshja zhbllokohet ne minutën 62 me një gol të bukur të britanikes Toone. Gjermania reagoi menjëherë duke treguar ndoshta superioritetin teknik, dhe gjeti barazimin me Magull në minutën 79.
U desh koha shtesë për të përcaktuar fitueset, me një gol pas një aksioni disi konfuz në zonën e rreptësisë, e finalizuar nga Kelly në minutën 110.
Ndërkohë që pjesë e kombëtares së meshkujve që humbi vjet po në këtë stadium ndaj Italisë bënte tifo për koleget e tyre, trofeu i parë femëror në këtë sport për anglezët u dha nga vetë princi William.