Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në seancën e sotme plenare të Kuvendit ka folur për shtyrjen e vendimit për reciprocitetin e pjesshëm me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Haradinaj tha se kjo praktikë e marrjes së vendimeve dhe e tërheqjes së menjëhershme, duhet të ndalet.
“Shqetësuese është mungesa e një vizioni të kësaj Qeverie që mos të na përsëritet e njëjta situatë që kur të shkojmë në veri e pastaj duhet me na tërheq ndërkombëtarët me na nxjerrë. Është bërë një praktikë e keqe fshehja pas debatit publik me Listën Serbe nuk e shtyn datën 1 shtator”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se qeveria duhet të merret me krijimin e kushteve për policinë e Kosovës, duke shtuar se raportet në mes VV-së dhe Listës Serbe janë çështje të brendshme të tyre dhe nuk kanë koment për ta.
“Këto janë çështje të brendshme të koalicionit besoj ndërmjet VV-së dhe Listës Serbe, pra nuk kem koment ne, këto janë çështje të brendshme të tyre të Qeverisë. E para ne nuk mund të dimë asgjë mes tyre se zoti Rakiq është ministër i Kurtit, ato janë marrëdhënie të brendshme të Qeverisë”.
“Po të isha unë kryetar Qeverie unë nuk isha marrë me këto debate, por e kisha ngrit moralin e trupave, kisha shkuar me rritje page e beneficione, pasi që ata kur shkojnë në veri ata përballen edhe me vdekje”, tha Haradinaj.