Numri i njerëzve që kaluan Kanalin Anglez nga Franca në Britani arriti një rekord të ri.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë së Madhe, një rekord prej 1.295 emigrantësh kaluan Kanalin Anglez të hënën.
Ekipet e marinës dhe patrullës kufitare kapën 27 varka të vogla që vinin nga Franca, ku në secilën prej tyre kishte mesatarisht 50 emigrantë, njoftoi ministria të martën.
Shifra e së hënës ishte shumë më e lartë se rekordi i mëparshëm njëditor i nëntorit prej 1.185.
Gjithsej 6.273 emigrantë kanë kaluar Kanalin deri më tani në gusht, shifra e dytë më e lartë mujore pas nëntorit 2021, kur 6.878 emigrantë ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm.
Numri i përgjithshëm për vitin 2022 aktualisht qëndron në rreth 22.500, dyfishi i shifrës të vitit 2021.
Në fillim të këtij viti, qeveria britanike doli me propozimin e saj të diskutueshëm për të deportuar emigrantët që kanë mbërritur përmes Kanalit në Ruandë për shqyrtimin e kërkesave të tyre të azilit.
Plani është pezulluar për shkak të një shqyrtimi gjyqësor i cili është në vijim e sipër, por qeveria ka thënë se po vazhdon përgatitjet për zbatimin e kësaj politike.