Amerika i bën një tjetër dhuratë Ukrainës për Ditën e Pavarësisë. Bëhet fjalë për një paketë ndihme prej 3 miliardë dollarësh, për asistencë të sigurisë për vendin në luftë prej 6 muajsh, më e madhja deri tani që është akorduar për Kievin.
Paketa e re do të sigurojë fonde për Ukrainën dhe do t’i mundësojë administratës Biden që të dërgojë armë nga industria amerikane, dhe jo nga stoqet.
Por kjo procedurë mund të vonojë dhe armët që do të prodhohen enkas për Ukrainën, mund të kërkojnë 1, 2 apo edhe 3 vjet kohë.
Pentagoni konfirmoi se kjo paketë e re do të përfshijë edhe 6 sisteme raketore tokë-ajër të njohura si NASAMS, 24 radarë kundër ajrorë, dronë Puma dhe sisteme kundër dronëve, të njohura si “Vampiri”.
Me këtë paketë të re, ndihma e SHBA-së për Ukrainën në 6 muaj luftë shkon në mbi 13.5 miliardë dollarë.