Forcat e Armatosura Tajvaneze kanë hapur zjarr të martën kundër dronëve civilë që mendohet se kontrolloheshin nga Kina, menjëherë pasi Presidenti i Tajvanit, Tsai Ing Wen, bëri thirrje për masa “të forta” përballë këtij lloji të inkursionit.
Ministria e Mbrojtjes e ishullit ka konfirmuar në një deklaratë se ka pasur të shtëna kundër të paktën tre dronëve. Edhe pse nuk e ka identifikuar origjinën e tyre, ajo ka shpjeguar se këta avionë janë tërhequr në drejtim të qytetit kinez Xiamen, raporton agjencia Bloomberg.
“Kam urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të marrë masa të forta dhe të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e hapësirës ajrore”, tha Tsai, gjatë një fjalimi para ushtrisë në të cilën ai paralajmëroi se Tajvani nuk do të qëndrojë duarkryq.
Presidenti i është përgjigjur në këtë mënyrë kritikave për mungesën e dukshme të reagimit ndaj pranisë në rritje të dronëve. Gazeta kineze “Global Times” thekson në një shkrim të saj se inkursionet tregojnë mbrojtjen ushtarake të “dobët” të ishullit.
Tensioni në zonë është rritur që kur Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin në fillim të gushtit. Pekini u përgjigj me manovrat e tij më të mëdha ushtarake, për të bërë të qartë se ai vazhdon të ketë shumë në mendje pretendimet e tij sovrane mbi ishullin.