Shqipëria është gati të rihapë bastet sportive, aktivitet i cili u ndalua me ligj më 1 janar 2019. Në dëgjesën e organizuar me grupet e interesit, pas presionit të federatave sportive, që e cilësojnë rikthimin e basteve një mënyrë për të kontribuar për sportin, kryeministri Edi Rama pohoi se legalizimi i basteve është rruga e vetme që mund të ndiqet.
“Basti “online” është i pandalueshëm. Problematika e bastit “online” në të zezë është edhe në ato vende që për arsyet e tyre ideologjike apo morale e kanë ndaluar. Në diskutime që kemi bërë me ekspertë të botës digjitale është e pamundur të bllokohet sistemi. Kjo edhe mua më bën të prirur për të qenë i hapur ndaj kësaj zgjidhjeje se është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga njerëz që shkelin ligjin dhe ku kanë figuruar aktivë dhe me përfitime të paarsyeshme elemente me profil të lartë në krimin e organizuar”, tha Rama.
Të gjithë zërat e pranishëm në dëgjesë, nga kreu i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli dhe drejtuesit e federatave, ishin në sinkron për rihapjen e basteve të kontrolluara nga shteti: “U bë mirë që u mbyllën bastet. Por, tani po luhet më shumë se më parë. Unë them t’i mbyllim zoti kryeministër, por të mbyllim bastet në të zezë, t’i kontrollojë shteti e jo privati. Çdo shtet europian ka kompani bastesh. Shteti duhet që të marrë para nga bastet normale. Kur shtete europiane si Anglia dhe Gjermania i kanë me ligje dhe i kontrollon shteti, e pse duhet t’i kontrollojnë të fortët te ne”.
Ndërsa Zhani Çakuli, drejtor i lojrave të fatit, tha: “Nëse do të bëhet “online”, është shumë e lehtë. Regjistrohesh me kartë ID. Parashikojmë që të ardhurat të dyfishohen, nga rreth 50 milionë që kanë qenë, parashikojmë të shkojnë në 100 milionë euro. Kompanitë e basteve ndërkombëtare luhen edhe në Shqipëri, ka disa mënyra si anashkalohet bllokimi i faqeve. Nëse një kompani ndërkombëtare merr licencën për të luajtur në Shqipëri, ai i mbyll vetë faqet pirate, sepse ka penalitete në vendin e tij”.
Kryeministri Rama mohoi çdo mundësi të hapjes së salloneve apo të pikave fizike, por mbështeti kërkesën për bastet “online”.