Pak ditë pas ndarjes nga jeta të mbretëreshës Elizabet, e gjitha media është duke folur për sovranen më jetëgjatë në krye të monarkisë britanike.
Shumë është folur për jetën por edhe për stilin e veçantë që ajo kishte. Mbretëresha i jepte shumë rëndësi dukjes së saj dhe në çdo dalje publike spikaste me veshjet në ngjyrë të ndezur, çantat e vogla të dorës, por mbi të gjitha këpucët që madhëria e saj i ka mbajtur prej më shumë së gjysmë shekulli.
Ajo kishte një këpucar personal dhe madje një asistente që ia vishte asaj.
Për gati 60 vjet Elizabeth ka veshur këpucët e një kompanie britanike, Rayne, e cila kishte fituar “garancinë mbretërore” që në vitin 1936, një lloj vule aprovimi që certifikonte kompanitë që vishnin familjen mbretërore.
Duke qenë se mbretëresha nuk donte të ndryshonte modelin e këpucëve, ajo vendosi të mbështetej te një këpucar artizanal me kushtin e vetëm që t’i riprodhonte njëlloj pasi ndihej shumë komode me to dhe ishte një traditë që nuk donte ta thyente.