Udhëheqësit botërore po mbërrijnë në Londër, për të marrë pjesë në funeralin e mbretëreshës Elizabeta ditën e hënë. Avioni Air Force One, me në bord presidentin amerikan Joe Biden dhe bashkëshorten Jill u ul në aeroportin e Stansted në Londër mbrëmjen e së shtunës.
Biden është mes 500 krerëve të shteteve dhe delegatëve të huaj që janë ftuar të marrin pjesë në funeral, në atë që do të jetë grumbullimi më i madhe i liderëve botërorë në dekada.
Të dielën është dita e 4 dhe e fundit kur publiku do të mund t’i bëjë homazhe monarkes së ndarë nga jeta më 8 shtator, në Westminster Hall.
Në orën20:00, një minutë heshtje do të mbahet rreth Britanisë së Madhe dhe të hënën arkivoli me trupin e mbretëreshës do të zhvendoset në Abacinë e afërt të Westminster- it për funeralin.
Qytetarëve u është kërkuar të respektojnë heshtjen në shtëpitë e tyre, nëpër rrugë me fqinjët, ose në evente komunitare dhe manifestime me qirinj.
Një shërbesë me lutje do të mbahet pranë skulpturave 30 metra të larta me dy koka kuajsh pranë Falkrik, e 96 fenerë, për secilin vit të jetës së mbretëreshës do të lëshohen në ujë pranë statujave. Funerali i mbretëreshës do të shfaqet në ekranë gjigantë të vendosur në parqe, sheshe e kinema rreth Britanisë së madhe.
Në një intervistë për BBC, bashkëshortja mbretëreshë, Camilla i bëri homazh sundimtares, duke thënë se ajo kishte skalitur rolin e saj në një botë të dominuar nga burrat. Camilla, e cila për vite me radhë ishte jopopullore mes britanikeve për shkak të lidhjes me Charlsin, foli për sytë e mrekullueshëm bojëqielli të mbretëreshës, që siç tha, kur buzëqeshte i ndriçonin të gjithë fytyrën. “Do ta kujtoj përgjithomë buzëqeshjen e saj”, shprehet Camilla në intervistë.