Ukraina pretendon se trupat e saj kanë marshuar më tej në lindje në territorin e braktisur kohët e fundit nga Rusia.
“Pushtuesit janë qartazi në panik”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbrëmjen e të hënës duke shtuar se ai tani është i fokusuar në “shpejtësinë” në zonat e çliruara.
“Shpejtësia me të cilën lëvizin trupat tona. Shpejtësia në rivendosjen e jetës normale”.
Zelensky la të kuptohej se do të ketë një videoadresim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të mërkurën, për t’iu bërë thirrje vendeve që të përshpejtojnë dërgimin e armëve dhe ndihmave.
“Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që nevojat e Ukrainës do të plotësohen në të gjitha nivelet – mbrojtjes, financiare, ekonomike, diplomatike”.
Forcat e armatosura të Ukrainës kanë rimarrë kontrollin e fshatit Bilohorivka dhe po përgatiten të rimarrin provincën Luhansk nga pushtuesit rusë, tha guvernatori Serhiy Haidai.