Kur fermeri Ed Lovejoy në Britaninë e Madhe mblodhi delet e tij, mbeti i shtangur nga ajo që shikoi: Gjithsej 116 dele ishin zhdukur nga tufa e tij prej 460 delesh. Bagëtia e zhdukur kapte vlerën e 17,000 paund.
Sky News shkruan se fillimisht fermeri ka dyshuar se kafshët mund të kishin humbur dhe shkoi pranë fermës së tij në Woodchurch, Kent, por nuk kishte asnjë gjurmë të tyre.
Fermeri kuptoi se delet nuk kishin humbur, por dikush i kishte vjedhur ato kur një dëshmitar tregoi se kishte parë dikë duke i shtyrë delet në një fushë. Hajdutët kishin organizuar një bastisje të guximshme për të vjedhur kafshër, të cilat dyshohet se janë therrur dhe mishi i tyre shitet në tregun e zi.
Kjo ngjarje në Britani të Madhe vjen mes paralajmërimeve se Britania po përballet me një “krizë të mundshme krimi” të lidhur me koston në rritje të jetesës.
Vjedhjet e energjisë elektrike, vjedhjet e dyqaneve, mashtrimet e sigurimeve dhe krimi në fshat raportohet se janë në rritje ndërsa kostoja e ushqimit dhe energjisë rritet.