Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, nuk ka legjitimitet për të përcaktuar se cilat janë alternativat në Mal të Zi, tha presidenti malazez Milo Gjukanoviç në një deklaratë për medie.
“Kjo u përket njerëzve me më shumë legjitimitet se ai. Mendoj se Lëvizja Qytetare URA dhe Dritan Abazoviç morën një mesazh të qartë më 30 gusht 2020. Kjo nuk rekomandon një njeri për postet më të larta shtetërore, ai e rekomandon atë për mbijetesë parlamentare në margjinat e skenës parlamentare të një vendi”, u shpreh Gjukanoviç në Budva, pas panelit në Forumin 2BS.
Ai komentoi dhe deklaratën e djeshme të Abazoviçit, i cili tha se në Mal të Zi ekziston një grup i mishëruar në “krimin e organizuar dhe korrupsionin, i cili në mënyrë deklarative, por jo në thelb, e mbështet BE-në”, duke shtuar se është “një grup rreth presidentit të shtetit”.
“Është diçka që duhet të parandalohet energjikisht nga forca e institucioneve të këtij vendi, forca e partive politike demokratike dhe pro-evropiane që e shohin të ardhmen e vendit në Evropë dhe sistemin e vlerave të Evropës moderne dhe BE-së”, theksoi Gjukanoviç.
Ai tha se do të ishte mirë që kryeministri të “zgjohej nga gjumi”, raporton Euronews.al
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që kryeministri aktual të zgjohet dhe të përballet me këto realitete. Ai nuk mund të shpëtohet politikisht pas asaj që ka bërë por mendoj se është mirë. Mendoj se e gjithë kjo, duke përfshirë lëvizjet që u ndërmorën dje papritur, sensacionale dhe absolutisht në mënyrë të papërgjegjshme në lidhje me ANB-në dhe sistemin e sigurisë së Malit të Zi, janë dëme që kontribuojnë më tej në rrënimin institucional të Malit të Zi dhe në këtë mënyrë rrezikojnë thelbin e shtetit malazez dhe të ardhmen e tij evropiane”, shtoi ai.