Kisha katolike “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Miçigan shënoi 50 vjetorin e themelimit të famullisë, organizimi i parë i shqiptarëve të krishterë në këtë shtet amerikan. Me këtë rast u organizua një simpozium shkencor mbi historinë e famullisë, jetën dhe veprën e themeluesit të saj Dom Prenk Ndrevashaj dhe rëndësisë që ajo ka në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan. Siç njofton kolegu Burim Goxhuli kjo kishë nuk ka mision të vetëm besimin fetar por edhe ruajtjen e gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare.
Pak ditë pasi emigroi drejt Shteteve të Bashkuara, gjysmë shekulli më parë, meshtari, veprimtari dhe poeti shqiptar Dom Prenk Ndrevashaj organizoi meshën e parë me komunitetin shqiptar në Miçigan, gjë që shënoi edhe themelimin e famullisë së parë të shqiptarëve të besimit katolik në këtë shtet amerikan.
Pak vite më vonë, më 1977, ai ngriti edhe kishën “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, të cilën e drejtoi deri në vitin 1997.
Tani kjo kishë ka një vendndodhje të re dhe më shumë hapësira, por misioni ngelet i njëjti thotë Dom Ndue Gjergji, ndërsa kujton porositë e Dom Prekë Ndrevashajt në ditën kur ai i dha përgjegjësinë për drejtimin e këtij institucioni fetar.
“Po ta dorëzoj kishën. Mbaj dyert hapur për popullin. Të jesh i afërt. Luftoje të keqen. Ndihmo të sjellësh paqe dhe bekim në familje. Largo sa më shumë grindjet dhe përçarjet, diçka që komunitetin tonë e kanë përcjellë shumë herë”, thotë për Zërin e Ameirkës meshtari i kishës “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Miçigan.
Zoti Ndrevashaj i kuptonte hallet e shqiptarëve që emigronin drejt Shteteve të Bashkuara sepse edhe ai vetë kishte vuajtur pasoja të rënda të komunizmit në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, thotë Zef Përgega autor i librit “Kristale Dukagjini” kushtuar figurës së Dom Prek Ndrevashajt.
“Kishte atë frymën e atdhedashurisë sepse në palcën e tij ishte ende dhimbja nga gjurmët e rënda të çizmes së komunizmit që kërkonin ta eliminonin jo vetëm atë por shumë figura të tjera. Ishte fat që erdhën këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këta udhëheqës fetarë dhe dhanë frymën e bashkimit, frymën e unitetit dhe të paqes, sepse siç thashë, kjo është një Shqipëri e vogël në miniaturë, sepse ne këtu kemi nga të gjitha krahinat”, thotë Zef Përgega, autor i librit “Kristale Dukagjini” kushtuar figurës së Dom Prek Ndrevashajt.
Sot, famullia e kishës “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” mundëson lutjet në gjuhën shqipe të rreth 500 familjeve shqiptaro-amerikane.
Por, në këtë kishë me rreth 2 mijë anëtarë nuk kryhen vetëm lutje fetare.
“Kisha këtu në Amerikë nuk shërben vetëm për aspektin fetar. Ne e kemi përdorur kishën dhe besimin në fe, meshat dhe predikimet tona edhe për të zgjuar ndjenjat kombëtare tek njerëzit, që të ruhen vlerat tona. Sa i përket traditës, kulturës, dokeve, zakoneve të mira, afërsisë, si ta ndihmojmë dhe duam njëri tjetrin. Dom Prenk Ndrevashaj e thoshte një parullë shumë të bukur, nëse dikush shkakton përçarje ai është armiku i vetvetes në rend të parë dhe mbarë komunitetit”, thotë meshtari Dom Ndue Gjergji.
Në kuadër të kishës “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” është edhe qendra kulturore “Nënë Tereza” në të cilën përveç aktiviteteve për çështje kombëtare dhe tubime familjare të komunitetit shqiptaro-amerikan, organizohen edhe mësime të valles dhe gjuhës shqipe për grupmosha të ndryshme.
“Po të mos kishim këtë liri dhe këtë qendër të them të drejtën do të përballeshim me një boshllëk të madh në jetën tonë. Unë kur kam ardhur fillimisht në Amerikë kam përjetuar një boshllëk shpirtëror, në mungesë të aktiviteteve që bënim dikur në Shqipëri. Por me kohën u integruam, u bashkuam dhe po vazhdojmë në këtë mision drejt ruajtjes së kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare këtu në Amerikë. Ajo që na gëzon më së shumti është dëshira, jo vetëm e prindërve por edhe fëmijëve, sidomos për klasën e valles. Është një mrekulli e vërtetë”, thotë Valentin Lumaj, drejtues i kësaj qendre.
Me rastin e 50 vjetorit të themelimit të famullisë “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” u organizua një simpozium shkencor kushtuar historisë së kësaj kishe, përkujtimit të jetës dhe vepër së themeluesit të saj Dom Prenk Ndrevashajt dhe rëndësisë që kishte ky organizim fetar në çështjen kombëtare dhe jetën e shqiptaro-amerikanëve.
Në ceremoni morën pjesë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe Arqipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj.
“E rëndësishme është që ne shqiptarët kudo që jetojmë e kudo që jemi, të jemi të unifikuar në dashuri, të jemi unik në atë çfarë duam për veten, dhe të dime të japim një kontribut të përbashkët për të gjitha kombet dhe njerëzimin”, tha Ipeshkvi i Kosovës.
“Dua vërtetë t’i falenderojë sepse kurrë nuk e kanë harruar vendlindjen. E falë angazhimit të tyre ne po mund t’ia dalim atje sepse edhe sot nuk është asgjë më e lehtë është shumë vështirë”, shtoi Aeqipeshkvi i Tivarit.
Veç simpoziumit shkencor, pjesëmarrësit patën rastin të shohin edhe një ekspozitë me fotografi nga aktivitetet 50 vjeçare të famullisë “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”.
Shqiptaro-amerikani Frank Pashko Shkreli emocionohet kur sheh fotografinë e tij në moshën nëntë vjeçare pranë meshtarit Dom Prenk Ndrevashaj, pak vite pasi familja e tij emigroi drejt Shteteve të Bashkuara.
Tani 58 vjeçari thotë se angazhimi në kishën shqiptare ndihmoi në formësimin dhe arritjet e tij në shoqërinë amerikane.
“Isha i lumtur sepse po afrohesha me kishën dhe komunitetin shqiptar, me kombin tim, të qenit shqiptar. Ndjeja lumturi dhe krenari se jam shqiptar dhe po rritesha si i tillë. Kjo është një fotografi që më mërzitë shumë, më kthen shumë kujtime. Kujtime të mira dhe të këqija, për shkak të kohëve të vështira që përjetuan shqiptarët. Ishin kohë të vështira. Sa herë e shoh këtë fotografi kam lot në sy”, thotë aktivisti i komunitetit shqiptaro-amerikan në Miçigan.
Një shqiptaro-amerikane tjetër kujton rëndësinë që famullia “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” kishte në fillimet e jetës së saj larg Shqipërisë.
“Po të mos ishte ky komunitet që na priti me aq shumë dashuri, që na qëndroi aq afër, sinqerisht nuk di se sim und të kishim përfunduar. Mund edhe tëishim kthyer në Shqipëri. Prandja, këtij komuniteti i jemi gjithë jetën borxh. Tërë jetën borxh. Për gjithçka që kanë bërë për ne”, thotë shqiptaro-amerikanja që u largua nga qyteti i Shkodrës në fillim të viteve 90, Huana Kurti
Dr. Gjeka Gjelaj nga këshilli i kishës thekson rëndësinë që trashëgimia e krijuar për 50 vite e kësaj famullie të vazhdohet dhe përmirësohet nga brezat e rinj të shqiptaro-amerikanëve.
“Mos të përsëriten gabimet tona, por të mësoni nga gabimet tona. Mos e leni të njëjtën vepër që ne e kemi krijuar, që të qëndrojë e njëjta. Nryshojeni për më mirë, për më të bukur, më të këndshme dhe sidomos më shqiptare. Kurrë most ë harrohet gjuha shqipe, kurrë most ë harrohet flamuri shqiptar dhe mbi të gjitha kurrë mos të harrohen vlerat shqiptare, se pa këto shqiptari nuk është shqiptar. Siç thoshte Gjergj Fishta ne e kemi krijuar Shqipërinë, porn a duhet shqiptari. Edhe ne ekemi krijuar komunitetin katolik shqiptar në Miçigan, port ani na duhen katolikët e mirë shqiptarë që ta vazhdojnë këtë vepër”, thotë profesori Gjelaj.
Mesha e së dielës në kishën katolike “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” do t’i kushtohet shënimit të 50 vjetorit të famullisë, ndërsa është organizuar edhe një mbrëmje festive për nder të këtij përvjetori. /VOA