Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi të mirë takimin me krerët e opozitës dhe njoftoi se me ta diskutoi idetë e reja që po testohen për të përmbyllur dialogun me Serbinë. Ai shtoi se e di se çfarë po bën dhe se gjithçka do shkojë ne vendin e duhur në mbrojtje të kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit territorial.
“Kemi biseduar edhe për procesin e bisedimeve që po zhvillohet në Bruksel dhe dialogun i cili do të jetë gjithmonë parimor dhe simetrik, dhe gjithashtu për idetë, opsionet, modelet me të cilën testohen palët, por në të njëjtën kohë edhe përpiqen faktorët ndërkombëtar që të arrijmë deri tek marrëveshja finale e cila duhet të jetë për normalizim të plotë e me njohje reciproke në qendër”, tha ai.
“Nuk është e vërtetë që nuk dimë ne se çfarë rruge jemi duke shkuar, rruga jonë është rrugë e ligjshmërisë, e kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave, është rrugë e paqes dhe sigurisë e cila bëhet në përputhje me mandatin tonë, me vullnetin e popullit dhe bashkërendim me miqtë, aleatët dhe partnerët tanë perëndimorë”.
Opozita i kërkon Kurtit të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. Tre liderët e partive opozitare, Lumir Abdixhiku i LDK, Memli Krasniqi i PDK dhe Ramush Haradinaj i AAK zhvilluan një takim me kreun e ekzekutivit për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, ku serbët lokalë janë larguar nga të gjitha institucionet në vend.
Pas bisedimeve me Kurtin, kreu i PDK-së fajësoi ato që i quajti vendime të papjekura të qeverisë për situatën në veri dhe tha se Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme për të të ruajtur sovranitetin e vendit. “Fatkeqësisht s’kemi përgjigje. Sot dal nga ky takim jo shumë i sigurt që qeveria e di se në çfarë rruge ka hyrë dhe sesi të dalë nga kjo situatë, duke e ruajtur territorin e Kosovës. Unë ia shpreha kërkesën e PDK-së, se Kosovës i duhen veprime dhe vendime të përgjegjshme, që e ruajnë sovranitetin e Republikës. Për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së, qoftë në Kuvend apo përmes çdo mundësie që ne e kemi”, u shpreh Memli Krasniqi.
Lideri i LDK-së tha se në takimin me Kurtin nuk ka parë ndonjë plan konkret e as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë. Përballë asaj që e cilësoi se gjendje shumë të rëndë të sigurisë në vend, Abdixhiku theksoi se koordinimi me partnerët e veçanërisht SHBA-së, është jetik.
“Destabilizimi buron nga sjelljet e Beogradit dhe Vuçiçit. Është jetike që Kosova të deklarohet me aleatët e vet. Ne kërkojmë që kjo Qeveri e Kosovës të sigurojë edhe ligjshmërinë edhe aleatët e vet. Sot është akt patriotik që të kërkohet koordinimi me SHBA-në. Nuk ka koordinim të tillë sepse nuk ka një deklarim të tillë. Dhe, i treguam kryeministrit që temën me Serbinë të mos ta bëjmë temë të diskutimit të brendshëm, sepse partitë në këtë pikë janë në një pikë”, u shpreh Abdixhiku.
Ndërsa Haradinaj u largua para se të përfundonte takimit, veprim që siç tha më vonë përmes një postimi në Facebook, ishte detyruar ta bënte, pasi Kurti nuk i sqaroi përse i kishte prishur raportet me Shtetet e Bashkuara.