“Ky është fillimi i fundit të luftës”. Me këto fjalë ju drejtua popullit ukrainas presidenti Volodymyr Zelensky, nga qyteti i sapoçliruar i Khersonit. Ai u tha ushtarëve se Ukraina po ecte përpara dhe se ishte e gatshme për paqen, por pa hequr dorë nga asnjë pjesë e territorit të vet.
“Ata po mashtrojnë të gjithë botën, prandaj ne po ecim përpara. Jemi të gatshëm për paqe, por për paqen në të gjithë territorin tonë”, u shpreh presidenti ukrainas.
Para se të vizitonte qytetin kyç në juglindje të vendit, që Rusia e konsideron si territor të vetin, Zelensky denoncoi se hetuesit kishin zbuluar atje më shumë se 400 krime lufte. Sipas tij, ishin gjetur trupa civilësh dhe ushtarësh, por mediat ndërkombëtare nuk i kanë verifikuar pretendimet.
“Hetuesit kanë dokumentuar që tani më shumë se 400 krime lufte; janë zbuluar trupa civilësh dhe ushtarësh. Në rajonin e Kherson ushtria ruse la pas kasaphanën ashtu si në zona të tjera rreth vendit që arriti të pushtojë. Ne do të gjejmë dhe do të nxjerrim para drejtësisë çdo vrasës”, shtoi Zelensky. Media amerikane Wall Street Journal, raportoi më herët se Shtetet e Bashkaura i kanë bërë thirrje Zelensky-t të tregohet i hapur për negociata me Rusinë, duke konsideruar kërkesa më realiste, përfshirë një rivlerësim të objektivit për të rimarrë gadishullin e Krimesë.
Por në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Kiev, tha se formula e paqes mbetet e pandryshuar dhe përfshin: fundin e menjëhershëm të luftës, tërheqjen e të gjitha trupave; rikthim të integritetit territorial të Ukrainës dhe kompensim për dëmet e shkaktuara.
Por Rusia u kundërpërgjigj se kushti i Kievit që Moska të tërheqë trupat për nisjen e negociatave, ishte i papranueshëm.