Janë shitur të gjitha biletat në Arenën Kombëtare për miqësoren me Italinë.
Edhe pse për thuajse një javë interesi dukej i vakët, 24 orë para ndeshjes nuk ka më vende të disponueshme në stadium.
Kjo është hera e parë që stadiumi do të jetë i mbushur me kapacitet të plotë pas më tepër se një viti. “Sold out” për here të fundit kishte ndodhur në kualifikuesen e Botërorit me Poloninë, më 12 tetor 2021. Ajo ishte ndeshja e fundit në grup dhe Shqipëria shpresonte për të arritur vendin e dytë dhe të priste një biletë për në “playoff”.
Tifozët kuqezi janë përgjigjur pavarësisht se disa emra të mëdhenj të Kombëtares do të mungojnë mbrëmjen e së mërkurës, teksa një i tretë rrezikon të mos jetë i gatshëm.
Berat Gjimshiti dhe Ivan Balliu nuk do të jenë në gjendje t’i përgjigjen ftesës së kuqezinjve, për testet e muajit nëntor. Klubi i Atalantës në Serie A dhe Rayo Vallecano në La Liga njoftuan federatën e futbollit se dy futbollistët janë të dëmtuar dhe do ta shfrytëzojnë periudhën e pauzës për t’u rikuperuar.
Edhe Armando Broja rrezikon të mos jetë i gatshëm për duelin e kësaj të mërkure me të kaltrit. Sulmuesi i Chelsea vuan prej një dëmtimi muskulor dhe iu nënshtrua vizitave të specializuara me stafin mjekësor të Kombëtares. Aktivizimi i tij mbetet në dyshim serioz dhe vendimi do të merret në orët në vazhdim.