Situata gjeopolitike globale është në një pikë kulmore, jo vetëm për luftën që prej 10 muajsh po shkatërron çdo infrastrukturë në Ukrainë por që po tregon edhe mangësitë ruse. Tensioni është gjithmonë e më i lartë në detin Kinez, aty ku Pekini duket sikur ka vendosur të sulmojë Tajvanin, edhe pse nuk dihet se kur kjo do të ndodhë.
Rusia dhe Kina, marrëdhënie midis të cilave dukeshin në ftohje, kanë deklaruar se do të ndërmarrin një stërvitje madhore pikërisht në atë zonë, ku nuk mungon as një Kore e Veriut që kërcënon gjithmonë me raketat e saj balistike, që mund të arrijnë tashmë edhe në brigjet e Shteteve të Bashkuara.
Pikërisht në këtë kontekst, ushtria e Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se bombarduesit e saj strategjikë, B2 Spirit, më të kushtueshmit dhe më të mistershmit në botë, janë të gjithë të pezulluar, dhe në këtë moment nuk kanë leje për fluturim.
Arsyeja nuk është totalisht e përcaktuar, dhe hyn në lajmet e rezervuara për këtë mjet të projektuar në vitet ‘70 por që vetëm në 1993 ka qenë operativ.
Me shumë mundësi, inxhinierët kanë pikasur një defekt të brendshëm të mjetit, që ka shtrënguar më 10 dhjetor një prej tyre të kryejë një ulje emergjence në Misuri, pas një zjarri.
Uashingtoni është gjithmonë i vëmendshëm të mos japë detaje të hollësishme për këto bombardues që kushtojnë rreth 2 miliardë dollarë secili, dhe është prodhuar vetëm në 20 ekzemplarë nga 130 që mendoheshin në fillim, për shkak të përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Por B2 Spirit është edhe mjeti që i jep superioritet Uashingtonit në qiejt e botës, me kapacitetin për të fluturuar kudo në planet vetëm me furnizimin fillestar, dhe atë për të mbajtur deri në 16 bomba bërthamore në barkun e saj, ose dhjetëra bomba konvencionale, ku disa prej tyre u përdorën për herë të parë gjatë konfliktit në Kosovë.
Një problem i rëndësishëm për stabilitetin e mjetit do të shihej si një rrënim i kapaciteteve ushtarake amerikane, edhe për faktin që zëvendësuesi i këtij bombarduesi, i prezantuar së fundmi me emrin B-21 Raider, nuk do të fillojë provat në ajër përpara vitit 2027.