Parlamenti Federal i Gjermanisë, Bundestagu, ka miratuar me shumicë 371 votash ndryshimet në ligjin për të drejtën e qëndrimit dhe azilit për shtetasit e vendeve të treta.
Ky vendim do të thotë se së shpejti do të fillojnë të zbatohen ndryshimet e shumëpritura që e bëjnë më të lehtë qëndrimin në Gjermani për të huajt që ndodhen tashmë në vend dhe në situata të ndryshme, raporton Shengenviza.info.
Ndryshimet, të cilat u miratuan në fillim të këtij muaji, më 2 dhjetor 2022, përfshijnë lehtësimin e fitimit të vendbanimit për ata pa status të sigurt dhe lehtësimin e mundësisë së të rinjve që kanë qenë në Gjermani për të paktën tre vjet për të vazhduar qëndrimin.
Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka miratuar edhe një ligj sipas të cilit procedurat e aplikimit për azil do të përshpejtohen dhe në këtë mënyrë do të ulet numri i kërkesave të mbetura.
Përfitimet e qëndrimit:
Ligji i ri do t’u mundësojë atyre që kanë qëndruar në Gjermani për një periudhë të paktën pesëvjeçare dhe që nuk kanë status të sigurt qëndrimi deri më 31 tetor 2022, të fitojnë të drejtën e qëndrimit për një vit e gjysmë (18 muaj).
Përgjatë këtyre 18 muajve mund të aplikojnë për të drejtën e përhershme për të qëndruar në Gjermani.
Personat që nuk e kanë festuar ende 28-vjetorin, nuk do të kenë më nevojë të presin katër vjet për t’u dhënë mundësinë të qëndrojnë në Gjermani, pasi kjo periudhë tashmë është shkurtuar në tre vjet.
Për një kohë të gjatë, Gjermania ka luftuar me plotësimin e mungesës së fuqisë punëtore, veçanërisht në fushat ku nevojiten punëtorë të kualifikuar. Pas prezantimit të Aktit të Imigracionit të Aftësive në vitin 2020, Gjermania tani sjell disa mijëra punëtorë të huaj në vend sipas këtij ligji.
Ndryshimet e reja gjithashtu do t’u mundësojnë azilkërkuesve të marrin një vendim për aplikimin e tyre për një periudhë më të shkurtër kohore.
Për momentin, periudha maksimale që mund të zgjasë procesimi i një kërkese për azil është gjashtë muaj, megjithëse e njëjta mund të zgjatet për një periudhë prej 18 muajsh kur është e nevojshme.