Andrew Tate do ta kalojë Vitin e Ri dhe me shumë gjasa të gjithë muajin e parë të 2023-shit pas hekurave në një burg në Rumani bashkë me vëllain e tij Tristan. Sipas mediave lokale atje, Tate është vendosur në një prej burgjeve kryesore të vendit, në Bukuresht, ku rregullorja dikton vetëm një orë në ditë ajrosje, ndërsa pjesa tjetër e kohës kalohet brenda në qeli.
Të premten, gjykata refuzoi kërkesën e avokatit të vëllezërve Tate që t’i lironte, pasi akuzohen për trafikim të qenieve njerëzore dhe përdhunim. Sipas autoriteteve rumune, në vilën e tyre luksoze në periferi të Bukureshtit mbaheshin 6 vajza, të cilat detyroheshin të xhironin video pornografike.
Tate u bë i famshëm në vitin 2016 kur u përjashtua nga Big Brother në Britaninë e Madhe pasi nisi të qarkullonte në rrjet një video ku ai shihej teksa godiste një grua me kamxhik. Në atë kohë ai tha se video ishte manipulim i bërë për ta diskretituar.
Por prej asaj kohe, 36-vjeçari ish kampion bote në kikboks ka shtuar ndjeshëm ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Në Twitter, ku llogaria e tij është aktive, ka 3,5 milionë ndjekës. Ndërsa llogaritë e tij në Facebook, YouTube, Instagram dhe TikTok janë bllokuar për shkak të mesazheve që ai përcillte në to.
I lindur në Çikago, Tate është djali i një amerikani që ka punuar në Britaninë e Madhe si pjesë e Forcave Ajrore dhe që gjithashtu ishte një kampion shahu. Prindërit e tij u takuan në Mbretërinë e Bashkuar e më pas u transferuan në SHBA, ku Tate u rrit derisa prindërit e tij u ndanë. Më pas ai u transferua në Luton të Anglisë, ku jetoi me të ëmën.
Të dy vëllezërit pretendojnë se kur ishin të rinj kanë përjetuar varfërinë. Në disa intervista ata thonë se shkonin nëpër fast-food-e për të marrë ushqimet që njerëzit linin në tavolina.
Edhe pse Andreë ka dalë disa herë kampion bote në kikboks, famën e fitoi në rrjetet sociale.
Në TikTok, videot me hashtag #AndrewTate kanë më shumë se 12,7 miliardë shikime. Në këto video përfshihen edhe ato ku kritikohet influenceri dhe stili i tij i jetës. Në intervistat që ai realizon në rrjetet sociale i përshkruan gratë si “përtace” dhe gjithashtu pretendon se “femra e pavarur” nuk ekziston.
Ai e përshkruan veten si “milioner i realizuar vetë” e madje në një intervistë të fundit pretendon se tashmë është bërë miliarder. Biznesi më fitimprurës sipas tij është ai i “webcam” – ku vajzat flasin dhe performojnë para njerëzve që qëndrojnë nga ana tjetër e ekranit dhe paguajnë për të parë.
“Kisha 75 gra që punonin për mua në katër banesa dhe fitoja 600 mijë dollarë”, ka thënë Tate në një intervistë. “Detyra ime është të takohem me një vajzë, të dalim disa herë, të fle me të, ta testoj nëse ka cilësi, ta bëj që të bie në dashuri me mua dhe të bëjë gjithçka për mua, në këtë mënyrë e nxjerr në kamera në mënyrë që të pasurohemi bashkë”, shkruante ai në llogaritë e tij në rrjetet sociale.
Gjithashtu Tate ka ngritur një website ku ofron këshilla për jetën, për një pagesë prej 50 dollarësh në muaj, ku pretendon se ka rreth 160 mijë “studentë”. “Unë u mësoj njerëzve mënyrat moderne për të vënë pasuri”, pretendon Tate.