Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes u arrestua në vitin 2019 dhe u dënua për spiunazh për Britaninë e Madhe, gjë të cilën, ai e mohoi. Britania e Madhe i kishte kërkuar Iranit të ndalonte ekzekutimin dhe ta lironte menjëherë, por sipas medias shtetërore, ai është ekzekutuar
Shtetasi britaniko-iranian, Alireza Akbari, i cili ishte është dënuar me vdekje në Iran, është ekzekutuar, thonë media shtetërore iraniane.
Familjes së Akbarit iu kërkua të shkonte në burgun e tij për një “vizitë përfundimtare” të mërkurën, ndërsa gruaja e tij tha se ai ishte transferuar në izolim.
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes iranian u arrestua në vitin 2019, duke u dënuar për spiunazh për Britaninë e Madhe, gjë të cilën, ai e mohoi.
Britania e Madhe i kishte kërkuar Iranit të ndalonte ekzekutimin dhe ta lironte menjëherë.
Të premten, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, paralajmëroi se “Irani nuk duhet të ndjekë kërcënimin brutal të ekzekutimit”.
“Ky është një akt i motivuar politikisht nga një regjim barbar që ka shpërfillje totale për jetën njerëzore”, shkroi Cleverly, të mërkurën në Twitter.
Media zyrtare e gjyqësorit iranian, Mizan, raportoi gjithashtu se Alireza Akbari ishte varur, pa dhënë një datë të saktë për ekzekutimin.
Irani postoi një video të Akbarit këtë javë, duke treguar atë që dukej të ishte rrëfim i detyruar.
BBC Persian, të mërkurën, transmetoi një mesazh audio nga Akbari, në të cilin, ai tha se ishte torturuar dhe detyruar të rrëfente në kamera për krimet që nuk i kishte kryer.
Shtetet e Bashkuara iu bashkuan thirrjeve që Irani të mos ekzekutonte Akbarin gjersa diplomati amerikan, Vedant Patel, tha se “ekzekutimi i tij do të ishte i pandërgjegjshëm”. Krahas kësaj, ai theksoi se akuzat kundër Alireza Akbarit dhe dënimi i tij ishin të motivuara politikisht.
Në fillim të kësaj jave, një zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar i tha BBC-së se po mbështeste familjen e Akbarit dhe se kishte ngritur vazhdimisht çështjen e tij me autoritetet iraniane.
Ai kishte kërkuar qasje urgjente konsullore, por qeveria e Iranit nuk njeh shtetësi të dyfishtë për iranianët.
Në mesazhin audio të Akbari, tha se ai jetonte jashtë disa vite më parë, kur ishte i ftuar të vizitonte Iranin me kërkesë të një diplomati të lartë iranian, i cili ishte i përfshirë në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore.
Ai u akuzua se kishte marrë inteligjencë të lartë sekrete nga sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Shamkhani, “në këmbim të një shishe parfumi dhe një këmishe”. Akbari pretendoi se ai ishte “marrë në pyetje dhe torturuar” nga agjentët e inteligjencës “për më shumë se 3,500 orë”
Ai gjithashtu akuzoi Iranin se kërkon të hakmerret ndaj Britanisë së Madhe, duke ekzekutuar atë.
Disa orë pas transmetimit të mesazhit audio, agjencia e lajmeve Mizan, konfirmoi për herë të parë se Akbari ishte shpallur fajtor për spiunazh dhe se Gjykata e Lartë e kishte refuzuar apelin e tij.
Marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit janë përkeqësuar muajt e fundit, qëkur Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj policisë morale të Iranit dhe figurave të tjera të larta të sigurisë, në përgjigje të shtypjes së dhunshme të vendit ndaj protestuesve antiqeveritar.
Irani ka arrestuar dhjetëra iranianë me shtetësi të dyfishtë ose me rezidencë të përhershme të huaj në vitet e fundit, kryesisht me akuza për spiunazh dhe siguri kombëtare.
Shtetasit britaniko-iranianë, Nazanin Zaghari-Ratcliffe dhe Anoosheh Ashoori, u liruan dhe u lejuan të largoheshin nga Irani vitin e kaluar, pasi Britania e Madhe zgjidhi një borxh të gjatë që i detyrohej Iranit.
Megjithatë, të paktën dy britaniko-iranianë të tjerë mbeten në paraburgim, përfshirë Morad Tahbaz, i cili gjithashtu ka nënshtetësi amerikane.