Në Turqi vijon të mbizotërojë kaosi pas dy tërmeteve shkatërruese të së hënës. Pacientët e shtruar në spitalin shtetëror turk po “lihen që të vdesin” pasi stafet mjekësore janë larguar, raporton Sky News.
Nga ana tjetër, banorët e Antakya-s, pranë kufirit me Sirinë kanë nisur të plaçkitin supermarketet pasi janë lënë pa ushqim, një çati ku të fusin kokën apo ndihmë.
Ekipe vullnetare janë duke përdorur matrapikë dhe mjete të tjera pune në tentativë për të ndihmuar njerëzit e zënë poshtë gërmadhave.
Shumë njerëz në këtë provincë ndihen sikur janë harruar, dhe që nuk kanë marrë ndihmë dhe vijojnë të mos e marrin ndihmën.
Sa i përket spitalit, edhe pse ai është pjesërisht i shkatërruar, pacientët vijojnë të qëndrojnë në ambientet e tij.
“Ka ende pacientë aty brenda. Ka edhe të vrarë nga tërmeti, të tjerë kanë humbur jetën pasi nuk kanë marrë dot kujdes shëndetësor,” raporton gazetarja e Sky News nga vendi i ngjarjes.
Antakya është një zonë e varfër e Turqisë në të cilën ndodhen një numër i madh refugjatësh sirianë të mbetur të pastrehë nga lufta civile matanë kufirit.