Forcat e Sigurisë së Kosovës e kanë shpëtuar një fëmijë 2 vjeç në Turqi, derisa ende po mundohen ta shpëtojnë edhe nënën e vajzës së vogël e cila është gjallë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti.
Lajmin për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, gjenerali Sefer Isufi.
“Nga orët e hershme të mëngjesit kontingjenti ynë është kyçur në operacionet e shpëtimit dhe nga informatat e fundit që kemi këta vetëm se kanë arritur të detektojnë disa nga njerëzit e mbetur nën rrënoja. Detektimi është shumë i rëndësishëm në këso raste pasi në momentin kur identifikuohet, i mbijetuari mund të nxirët shumë më lehtë”, ka deklaruar Isufi.
Tërmeti vdekjeprurës në Turqi dhe Siri ka marrë jetën e më shumë se 11 mijë personave.
Ekipet e shpëtimit atje janë duke e pasur problem identifikimin dhe shpëtimin e të mbijetuarve për shkak të motit të papërshtatshëm që po mbizotëron në ato zona.