Përderisa autoritetet vendore prej vitesh kanë premtuar se rruga nga Ohri në kufirin me Shqipërinë, afër Shën Naumit do të rindërtohet, në anën tjetër të liqenit po punohet intensivisht në rindërtimin dhe zgjerimin e rrugës që çon në Tushemisht dhe Pogradec. Rruga duhet të ketë tre korsi ndërsa ndërtohet edhe një unazë. Banorët e Ohrit thonë se rruga nuk ndërtohet vetëm me premtime.
“Pasi është e ngushtë dhe nuk mirëmbahet sa duhet, do të thotë se është e rrezikshme. Nuk mund të jetosh nga premtimet, duhet të punohet më shumë”, tha një qytetar.
A u besoni premtimeve të qeverisë?
“S’ka asgjë nga ato. Ja, rruga Kërçovë-Ohër, kanë dhjetë vjet që e ndërtojnë dhe nuk bëhet. Nuk i shihet fundi”, u përgjigj një qytetar tjetër.
“Për këtë rrugë është folur me dekada më parë si në nivel lokal ashtu edhe në nivel republikan se rruga duhet të zgjerohet, por deri më sot nuk kemi parë diçka të tillë. Të paktën të bëhet edhe një korsi dhe korsi për biçikleta, në mënyrë që vetë rruga të marrë kuptimin e saj të vërtetë. Infrastruktura në Shqipëri, për fatin e tyre, është shumë më e mirë dhe për fat të keq për ne, këtu e shohim infrastrukturën tonë si është”, shtoi një tjetër qytetar.
Nga Agjencia për rrugë shtetërore thonë se në programin vjetor për vitin 2023 ishte parashikuar rehabilitimi dhe rindërtimi i aksit Ohër – Shën Naum.
“Kemi bërë përzgjedhjen e realizuesit më të volitshëm dhe është duke u zhvilluar procedura për Kontroll Administrativ nga Byroja e Prokurimit Publik, pas së cilës, nëse merr mendim pozitiv, do të lidhet kontratë me realizuesin e përzgjedhur dhe menjëherë do fillohet me punë përgatitore për fillimin e ndërtimit. Nëse merret mendim, gjegjësisht anulohet procedura, Ndërmarrja do duhet të fillojë me procedurë të re përzgjedhjeje dhe kjo do të thotë vonesë në gjithë procesin”, thonë nga Ndërmarrja publike për rrugët shtetërore.
Gjatë sezonit turistik rruga nga Shën Naumi deri në kufi është më e ngarkuar. Për shkak se është e ngushtë dhe e pasigurt krijohen kolona disa kilometra, ndërsa nuk është i vogël as numri i aksidenteve./Alsat.mk