Edhe pse lëkundjet e tërmetit ishin aq të forta saqë gati iu shkatërruan shtëpitë, banorët e shumë apartamenteve në godina shumëkatëshe, të dëmtuara pjesërisht, nuk kanë vënë mend, teksa vazhdojnë të shkojnë në to për të marrë çfarë u ka ngelur brenda.
Por, këtë veprim ata e bëjnë në një papërgjegjshmëri të plotë, duke pasur parasysh se ekspertët u kanë bërë thirrje që të mos afrohen atje, e jo më të futen brenda, për shkak të rrezikut të lartë që u kanoset, pasi mund të shemben në rast të ndonjë lëkundjeje të fortë.
Mësimi i parë nga natyra atyre iu erdhi sot, kur nga tërmeti 5.6 ballë që goditi Malatya, u shembën 29 ndërtesa, duke zënë poshtë dhjetëra njerëz, që gjendeshin brenda apartamenteve të tyre pikërisht për të marrë gjërat personale.
Si pasojë e shembjes së këtyre godinave, humbi jetën një person dhe u plagosën rreth 100 të tjerë. Ekspertët i kanë drejtuar sërish thirrje banorëve që të shmangin futjet brenda shtëpive të tyre, pasi lëkundjet do të vazhdojnë.