I dërguari special i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për takimin e së premtes me krerët e opozitës parlamentare.
Në një shkrim në Twitter, Lajçak thotë se ka shprehur pritshmëri të qarta për ta vendosur dialogun mbi politikën e përditshme partiake.
“Në ditën e dytë në Kosovë, u takova me liderët e partive opozitare për të shpjeguar marrëveshjen, si dhe hapat e ardhshëm. Gjithashtu shpreha pritshmëri të qarta nga bashkësia ndërkombëtare për ta vendosur dialogun mbi politikën e përditshme partiake, veçanërisht në këtë moment kritik”, shkroi Lajçak.
Tutje tha se ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe për t’i informuar për dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet dhe vlerësimet e tyre për zhvillimet në veri të Kosovës.
Po ashtu, Lajçak foli për takimin me minsitrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Dhe më në fund programi im i ngarkuar më lejoi të takohem me Ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla. Puna jonë është e mbuluar në shumë fusha. Kjo është arsyeja pse nënvizova rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë”, shkroi Lajçak.
Lajçak ka përmendur edhe 15 modele evropiane të cilat thotë se ia ka prezantuar Kurtit lidhur me Asociacionin.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi të premten se Lajçak, ka ofruar 15 modele evropiane për rregullimin e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.
Në një prononcim për Telegrafin, Kryeziu tha se do të analizojnë veçoritë, karakteristikat si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve.
Por, sipas zëdhënësit të Qeverisë, bëhet fjalë për modele që rregullojnë të drejtat e minoriteteve dhe jo për asociacione.
“Lajçak ka ndarë me neve 15 modele evropiane mbi rregullimin e të drejtave të minoriteteve, jo të asociacioneve. Ne do të analizojmë veçoritë dhe karakteristika si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve”, u shpreh Kryeziu.
Ndryshe, vizita e Lajçakut në Kosovë, erdhi disa një javë para takimit të Kurtit me Vuçiq në Ohër./Telegrafi/