Shefi ekzekutiv i kompanive Twitter, Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, ka thënë se nëse ish-presidenti amerikan Donald Trump arrestohet nga autoritetet ai do të rizgjidhet President në zgjedhjet e ardhshme, madje me vota shumicë.
Këto komente, Musk i bëri përmes një postimi në rrjetin social Twitter, i cili bëri një ‘retweet’ një postim ku raportohej arrestimi i mundshëm i Trumpit.
“Nëse kjo ndodh, Trump do të rizgjidhet me një fitore bindëse”, ka shkruar miliarderi.
Trump prej kohësh e ka bërë të ditur se do të kandidojë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA-së që do të mbahen në vitin 2024.
Ndryshe, Ish-presidenti amerikan deklaroi të shtunën se “rrjedhjet e paligjshme” kanë treguar se ai do të arrestohet të martën dhe iu bëri thirrje mbështetësve të protestojnë.
Trump përmes platformës së tij të mediave sociale Truth Social, iu referua disa informatave se së shpejti mund të përballet me akuza të mundshme penale në New York në lidhje me një pagesë për të blerë heshtjen e yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels.
NBC News raportoi të premten se agjencitë e zbatimit të ligjit po përgatiten për një padi të mundshme ndaj ish të parit të shtetit amerikan javën e ardhshme.