Bukuritë natyrore dhe historike të Shqipërisë vijojnë të tërheqin vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Këtë herë, kanali britanik Channel 14, ka transmetuar një reportazh mbi thesaret e tokës që promovon Shqipërinë turistike.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau pamje nga xhirimet nëpër Shqipëri të Bettany Hughes, e cila gjatë kësaj fundjave transmetoi në kanalin britanik Channel4, për miliona shikues, “Mrekullitë e Shqipërisë”, shkruan ATSH.
“Bettany do të rikthehet sërish në Tiranë për të marrë pjesë në FESTAForum që e organizojmë në 3-5 prill”, theksoi Kumbaro.
Hughes ftoi turistët të eksplorojnë bukuritë e Shqipërisë, që nga qytetet mahnitëse romake, te arkeologjia e mesjetës së hershme, nga xhevahiret e qytetërimit Osman, deri te bunkerët brutalë komunistë.
Vizitorët e huaj në shkurt 2023 janë rritur me 54% krahasuar me shkurtin e kaluar, ndërsa për dy muajt e parë të këtij viti, mbi 686 mijë vizitorë të huaj kanë frekuentuar Shqipërinë, ose 74% më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2022.
Në shkurt të 2022 vendi ynë u vizitua nga 200 997 turistë të huaj, në shkurt të 2023 nga 309 325 turistë të huaj, pra 54% më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa në janar- shkurt të 2022 u vizitua nga 395 234 dhe në janar-shkurt 2023 686 536 turistë të huaj, pra 74% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.