Ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë Alastair King-Smith tha në një intervistë për emisionin Now në Euronews Albania se vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Britani çoi përpara çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me emigracionit dhe krimit të organizuar.
Ai u shpreh se Britania e Madhe ka njoftuar dyfishimin e fondit të eksporteve financiare britanike nga 2 miliardë sterlina në 4 miliardë.
“Sapo jam kthyer nga Londra, me shoqërimin për vizitën zyrtare të Kryeministrit, një vizitë historike që një udhëheqës shqiptar kryen në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ishte i ftuar zyrtarisht nga qeveria britanike. Kjo vjen si rrjedhojë e marrëveshjes që të dy kryeministrat nënshkruan dhjetorin e kaluar dhe komunikatën e përbashkët.
Kryeministri arriti të bënte progres dhe kemi bërë përpara në çështjet e emigracionit dhe krimit të organizuar. Por kryeministri ynë ishte shumë i qartë jo vetëm për temën e kufirit por edhe për tema të tjera si ajo ekonomike. Ne njoftuam për dyfishimin e fondit të eksporteve financiare britanike nga 2 miliardë sterlina në 4 miliardë si dhe mundësitë për investimet britanike për tema të tjera si arsimi dhe prosperiteti”, u shpreh ambasadori.