Botuesi britanik Allen Lane ka siguruar të drejtat për një libër të ri “verbues” nga Lea Ypi.
Allen Lane do ta botojë librin në Mbretërinë e Bashkuar në pranverën e vitit 2025. Diku tjetër, të drejtat gjermane i janë shitur Suhrkamp, me oferta shtesë në SHBA dhe Evropë.
“Kur hasi në një foto të paparë më parë të gjyshes së saj që qarkullonte në internet, Lea Ypi filloi të vinte në dyshim historitë që i kishin thënë si fëmijë. Kjo e çoi në arkivin e ish-policisë sekrete të Shqipërisë komuniste dhe dosjet që mbanin për Leman Ypin”, thuhet në përmbledhje.
“Teksa përpiqet të rindërtojë jetën e gjyshes së saj përmes fragmenteve jo të besueshme të mbledhura nga spiunët, ndërsa riimagjinon ngjarjet transformuese që përjetoi, Ypi e gjen veten të ngatërruar në enigmat e interpretimit”, vijon përmbledhja.
Ypi është profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics. Libri i saj i parë, “Free: Coming of Age at the End of History”, ishte një bestseller i Sunday Times dhe libri i muajit Waterstones, fitoi çmimin Ondaatje dhe Çmimin Slightly Foxed Best First Biography Prize.
Po ashtu libri i saj u përfshi në listën e ngushtë për Çmimin Baillie Gifford, Çmimin e Biografisë Costa dhe Çmimin Gordon Burns.
Gjithashtu është duke u përkthyer në 27 gjuhë.
“Jam e emocionuar që po punoj me Allen Lane në një libër të ri që eksploron kuptimin e dinjitetit, personal dhe kolektiv. Duke balancuar historinë, politikën, letërsinë dhe filozofinë, qëllimi im është të eksploroj se si mund të përfshihemi me një të kaluar tragjike dhe çfarë mësimesh të nxjerrim kur ajo rrezikon të përsëritet”, ka thënë Ypi.
Casiana Ionita, drejtoreshë botuese në Penguin Press, bleu të drejtat për librin e ri me titull “Indignity” nga Sarah Chalfant në The Wylie Agency.
Sakaq, Ionita ka treguar se me librin “Free”, Lea Ypi u vendos si një shkrimtare jashtëzakonisht e talentuar dhe mendimtare e shkëlqyer.
“Në këtë libër të ri ajo do të tregojë përsëri një histori universale përmes një rasti të veçantë – atë të gjyshes së saj, një prej personazheve më të dashur në librin ‘Free’, e cila jetoi fundin e Perandorisë Osmane dhe krijimin e një shteti të ri kombëtar në Evropën ndërmjet luftërave”, ka vijuar ajo.
Nga ana tjetër e ka përshkruar si një “histori verbuese, e mbushur me njerëz magjepsës, një sens humori të errët dhe ide të mëdha, që besoj se do të bëhet një klasik”.