Dy persona të maskuar kanë hyrë në orët e para të mëngjesit në oborrin e shtëpisë së kryetarit të Rithemelimit në Vaun e Dejës, Benard Ndreca dhe kanë vendosur tritol në makinën e tij.
Sikurse duket nga pamjet e kamerave të sigurisë, dy personat që ende nuk janë identifikuar qëndrojnë për gati shtatë minuta pranë mjetit dhe vendosin sasinë e lëndës plasëse dhe më pas janë larguar në fshehtësi.
Pas disa orësh, rreth orës 07:10, Ndreca ka dalë nga shtëpia dhe ka hyrë në mjetin tip “Audi” për të nisur punën. Por, sapo ka tentuar të lëvizë mjetin, ka shpërthyer tritoli. Pas shpërthimit, pranë makinës afrohet e trembur e ëma, që sigurohet se djali i saj është shëndoshë e mirë, ndërsa reagon e alarmuar.
Ai ka mundur të dalë jashtë, duke shpëtuar pa lëndime. Në një deklaratë për mediat, Ndreca thotë se nuk ka asnjë konflikt dhe është i sigurt që atentatit ka motive politike.
“Ky incident që më ka ndodhur mua dhe familjes sime është i mirëmenduar. Unë nuk kam asnjë përplasje, as familja ime. Ky incident e ka një emër. Dihet që është emri politik. Çdo gjë është e pasqyruar me pamje filmike, pasi shtëpia është e pajisur me kamera. Në orën 06:30 kur kam dalë nga shtëpia, kam ndezur makinën, kam qëndruar dy minuta brenda dhe sa ka lëvizur makina nga vendi, ajo ka plasur.
Kjo është një ngjarje politike. Mina nuk i është vendosur Benard Ndrecës, por i është vendosur kryetarit të PD-së së degës Vau i Dejës”.
Politikani i bën thirrje “çdo krahu politik që t’i lërë presionet” dhe fushata zgjedhore që nis pas disa ditësh të zhvillohet pa probleme të tilla.
Për ngjarjen ka reaguar dhe kreu i Rithemelimit Sali Berisha, që e quan një atentat të mirëfilltë politik.
“Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Bernard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës, me qëllim eliminimin e tij fizik. Bernard Ndreca është një qytetar shembullor, e tillë është familja e tij. Terroristë shtetërorë, sipas regjistrimit të kamerave, kanë vendosur tritolin në makinën e tij.
Bernardi, tek nisej për në punë, pas disa metrash përballet me një eksplozion të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës. Por fatmirësisht, vetë ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik. Me këtë akt terrorist, Edi Rama inauguron çeljen e fushatës së tij elektorale.
Ky përbën një krim të shëmtuar, përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur një drejtues kryesor i një dege të PD-së, sulmohet apo ndaj tij organizohet një atentat për likuidimin e tij”.
Brenda 35 ditëve, ky është sulmi i dytë me tritol në Vaun e Dejës, pasi më 5 mars, lënda plasëse iu vendos edhe zyrave të OSHEE, sinjale këto që fushata elektorale në këtë bashki, mund të jetë e tensionuar.