Ushtarët britanikë janë filmuar duke përshëndetur trupat ukrainase derisa këta të fundit ishin duke shkuar për në vijën e frontit pas stërvitjeve në Mbretërinë e Bashkuar përpara një kundërofensive të pritshme pranverore të Kievit kundër ushtrisë pushtuese të Vladimir Putinit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës dhe më pas të shpërndara nga ekuivalenti britanik, janë marrë nga brenda një autobusi në lëvizje dhe tregojnë ushtarë me uniformë të rreshtuar përgjatë një rruge që duartrokasin, përshëndesin dhe mbajnë flamujt ukrainas.
Kjo shenjë solidariteti dhe respekti erdhi kur ushtarët u ndanë me aleatët e tyre ukrainas, të cilët kishin përfunduar stërvitjen këtë dimër për t’i përgatitur ata për një shtytje të re në luftën Rusi-Ukrainë.
Krahas pamjeve, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar shkroi: “Ne përshëndesim miqtë tanë ukrainas ndërsa kthehen në shtëpi pasi kanë përfunduar stërvitjen për të mbrojtur lirinë, të dashurit dhe pavarësinë e tyre”.
Videoja ngjalli një reagim emocional në internet, me një përdorues të Twitter-it që shkruante: “Më solli lot në sy. Shumë respekt për të dyja skuadrat”.
Një tjetër shtoi: “Ukrainasit janë jashtëzakonisht mirënjohës për ju Mbretëria e Bashkuar. Zoti i bekoftë zemrat tuaja të mira! Ukraina nuk do ta harrojë kurrë ndihmën tuaj dhe gjithçka që bëni për Ukrainën”.
Një komentues në YouTube tha: “Ky është një respekt dhe nderim i bërë nga britanikët. Jam thellësisht i prekur nga kjo”.
Pushtimi rus i Ukrainës detyroi shumë qytetarë të zakonshëm të merrnin armët për të mbrojtur atdheun e tyre, kështu që trajnimi i tyre për të qenë të gatshëm për luftim është thelbësor për suksesin e tyre ushtarak.
Programi për forcat ukrainase, i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar dhe i realizuar si nga forcat britanike ashtu edhe nga partnerët aleatë, njihet si Operacioni Interflex dhe ka parë mijëra ukrainas të jenë pjesë e trajnimit bazë të Ushtrisë Britanike.
Trajnimi bazë përfshin mbijetesën në një mjedis armiqësor; trupave u mësohen aftësi rreth mjeteve bazë në terren dhe kujdesi mjekësor, si dhe gjuajtja dhe trajtimi i armëve.