Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç është përgjegjës për krime lufte të kryera në Kosovë.
Gërvalla tha se ‘Serbia nuk ka nxjerrë mësime nga historia. Ata që janë përgjegjës për gjenocidin janë ende në krye të qeverisë serbe’.
‘Presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq, ishte ministër i propagandës për kriminelin e luftës Millosheviq gjatë gjenocidit kundër Kosovës. Dhe në një farë mase ai ende vepron më shumë si një ministër propagande, në vend të një presidenti’.
Ajo tha se ‘krahu i djathtë i të ashtuquajturit ‘Kasapi i Ballkanit’, kriminelit të luftës Millosheviq, i cili është përgjegjës për luftërat dhe gjenocidet serbe në Bosnje-Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë, është njeriu i cili sapo foli para meje. Ky njeri ka gjak pafund në duart e tij, ashtu si presidenti i tij. Nuk ka pasur asnjë fjalë për keqardhje. Në vend të kësaj, ka përbuzje për viktimat, shtrembërim të së vërtetës dhe nderim të vrasësve masiv. Fasada e një politikani ndonjëherë këngëtar nuk e ndryshon të vërtetën historike’.
‘Do ta them në shqip dhe do ta them si një fjali të vetme edhe në serbisht: Ivica Daçiç është përgjegjës për vrasje masive, përdhunime si mjet lufte si dhe për krime lufte, dhe ai duhet të sillet para një gjykate për krimet e luftës. Daçiç ishte krahu i djathtë i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit. Ai e nderoi atë si një hero dhe u bë pasardhësi i tij. Ai dhe Vuçiq ishin aleatët më të ngushtë të Millosheviqit. Ata janë bashkëpunëtorë të gjenocidit’, tha Gërvalla, transmeton Telegrafi.
Më tej ajo tha se ‘Daçiç ishte nga viti 1992 deri në vitin 2000 krahu i djathtë i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ai e festoi atë si një hero dhe u bë pasardhësi i tij. Ai dhe Vuçiq ishin aleatët më të ngushtë të Millosheviçit. Ata janë bashkëpunëtorë në gjenocid’.
‘E megjithatë, ja ku jemi ulur përballë tij. Ne do të negociojmë me të dhe me bashkëpunëtorin e tij Vuçiqin. NE do të negociojmë sepse jemi ne ata që duam të ruajmë paqen dhe të arrijmë një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit. NE, viktimat e gjenocidit dhe brutalitetit, kemi nderin dhe dëshirojmë të vendosim paqen jo vetëm për ne, por edhe për rajonin. Jemi ne populli i Kosovës’, tha ajo.
Gërvalla ka theksuar se Kosova është për paqen, andaj edhe pse ka përballë zyrtarë serbë si Vuçiq dhe Daçiç do të ulet të negociojë me ta.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se raporti i prezantuar ka gabime dhe sa disa ngjarje të rëndësishme mungojnë, teksa shtoi se ‘këto mangësi nuk janë të reja’.
‘UNMIK është bërë faktor destabilizues dhe nuk i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. Me këtë raport, e ka dokumentuar edhe se sa jo i domosdoshëm është bërë’, tha Gërvalla.
Ajo tha se Kosova ka bërë përmirësime të ndjeshme në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit, ‘duke përforcuar ndjeshëm rrugën drejt integrimit evropian’.
Por, Gërvalla shtoi se Serbia po tenton ta bllokojë integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe tha se e rëndësishme të ndërmerren masa ndaj veprimeve të tilla është.
‘Është e qartë që Serbia nuk do marrëveshje në dialog. Në të kundërtën, do ta pengojë çfarëdo marrëveshje sepse Serbia e 2023-tës nuk do më të anëtarësohet në Bashkimin Evropian’, tha ajo.
Gërvalla gjithashtu tha se presidenti i Këshillit të Sigurimit për muajin prill, ambasadori rus Vassily Nebenzia, ia mohoi asaj të drejtën për ta mbajtur fjalimin e saj në shqip. Nebenzia e mohoi këtë duke thënë se Gërvalla do të ishte lejuar të fliste në shqip nëse do të kishte insistuar.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në Neë York, ministres së Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiçit iu lejua që të flas në gjuhën serbe, por ministres Gërvalla iu ndalua të flas në gjuhën shqipe, edhe pse ajo bëri një kërkesë për këtë gjë.
Këtë e bëri të ditur vet ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, e cila nisi fjalimin e saj, duke thënë se meqenëse Daçiçi kishte refuzuar të flas në gjuhën angleze siç ndodh zakonisht në seancat e Këshillit të Sigurimit, dhe mbajti fjalimin në gjuhën serbe, kërkesë për të folur në gjuhën e shtetit të saj kishte bërë edhe ajo, por se kjo e drejtë iu mohua.
Nga Këshilli i Sigurimit, i kërkuan asaj që fjalimin ta mbajë në gjuhën angleze.
Megjithatë ministrja Gërvalla nuk u pajtua me këtë standard të dyfishtë, dhe trajtim të pabarabartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur përkrahje për kornizën e re të dialogut.
Ziade tha se gjatë vitit të fundit janë evidentuar sfida të ndryshme, ‘por edhe tentime për t’i afruar drejt normalizimit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë’.
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, bëri thirrje që marrëveshjet e nënshkruara më parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohen.
‘Është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ky është mekanizmi i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë’, tha Daçiç.
Përkundër faktit që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për të mos penguar njëra-tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Daçiç tha se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të pranojë që ajo të bëhet anëtare e OKB-së.