Buzëqeshje dhe festime. Pavarësisht se triumfi matematik në Serie A u shty për disa orë. Njerëzit në Napoli vijojnë të mbeten optimistë dhe janë gati të shpërthejnë në entuziazëm për titullin që mungon prej 33 vitesh.
Transferta me Udinese-n nuk është ndër më të lehtat, por napolitanët janë gati të festojnë prej mbrëmjes së kësaj të enjteje. Skuadrës i mjafton vetëm një pikë për tu shpallur kampione. Tifozët do të kenë mundësi ta ndjekin ndeshjen në stadiumin “Maradona”, për të gëzuar së bashku, në pritje që ekipi të kthehet në qytet.
“Jam 68 vjeç dhe i kam përjetuar të tre titujt. Më emocionues ishin dy trofetë e mëparshëm, sepse në ekip ishte Maradona. I kam ruajtur ende fotografitë e atyre viteve. E dashuroj Maradonën dhe Napolin. Kampionë përherë të tretë”, thotë një tifoz.
“Do ta fitojmë titullin. Nuk ka më asnjë dyshim. Për ne tifozët e kësaj kohe, Osimhen dhe Kvaratskhelia janë më të mirë se Maradona”, thotë një tjetër. “Donim të shpalleshim kampionë sa më shpejt, por nuk ka problem. Kemi besim te skuadra dhe për pak orë do ta festojmë titullin”.
Në stadiumin e Friulit pritet të jenë të pranishëm rreth10 mijë tifozë të Napolit, thuajse sa gjysma e kapacitetit të impiantit. Më pas, festimet do të vijojnë në rrugët e qytetit, për titullin që e presin prej vitit 1990.