Një angazhim në shërbim të arsimit shqip, në shërbim të shkollës shqipe, koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, së bashku me mësuesen Alma Mico dhe nxënësit e shkollës shqipe në Effretikon, të Kantonit të Zyrihut
… Përpjekjet nuk kanë të ndalur. Gjatë gjithë vitit shkollor kemi bërë çmos që të hapim sa më shumë klasa dhe në orët mësimore të gjuhës e të kulturës kombëtare të përfshijmë sa më shumë fëmijë të mërgimtarëve shqiptarë, me të vetmin qëllim që ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.
E premtja e datës 12 maj 2023 solli buzëqeshje në fytyrat e vogëlushëve të cilët të lumtur, të gëzuar u ulën në bankat shkollore të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, në pikën shkollore në Effretikon. Gëzimi shihej qartë jo vetëm në fytyrën e nxënësve por edhe të mësueses Alma Mico, e cila mundohej në mënyra të ndryshme t`ua bëj sa më të lehtë orën mësimore në këtë ditë fillimi të mësimit të gjuhës amtare.
Mësuesja Alma Mico me nxënësit e Shkollës Shqipe në Effretikon të Kantonit të Zyrihut
Një gëzim dhe kënaqësi e veçantë shihej edhe në fytyrat e prindërve duke i parë fëmijët e tyre në klasë duke shfletuar abetaren e gjuhës shqipe, leximi e shkronjave apo shqiptimi e fjalëve.
Nxënësit Floriani, Ronisi, Ronesa, Albini, Ismajli, Amirja, Lina, Amina, Dorela, Ensari, Anuri, Almiri, të cilët erdhën në orën e parë dhe të tjerët të cilët do t`iu bashkëngjiten në ditët në vazhdim e shikonin mësuesen me një gëzim të veçantë sepse për ta kishte filluar një ditë e re, një ditë ku ata do të mësonin edhe gjuhën shqipe.
Dhe fare në fund duke ju dëshiruar nxënësve dhe mësueses suksese pafund urojmë dhe apelojmë te të gjithë bashkatdhetarët që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe.
“Shkolla Shqipe” – Zvicër