Një konfuzion është krijuar pas raportimeve se katër fëmijë nga një komunitet indigjen në Kolumbi ishin gjetur të gjallë pas një aksidenti aeroplani.
Sipas mediave të huaja, konfuzioni është krijuar pasi pretendimet e presidentit të vendit se ata ishin gjetur u kundërshtuan nga burime ushtarake.
Fëmijët janë zhdukur për më shumë se dy javë pasi aeroplani me të cilin po udhëtonin u rrëzua në xhunglën e dendur të provincës Caqueta të Kolumbisë, tha presidenti Gustavo Petro.
Aeroplani – një Cessna 206 – po transportonte shtatë persona midis Araracuara, në provincën Amazonas, dhe San Jose del Guaviare, një qytet në provincën Guaviare, kur lëshoi një alarm për shkak të dështimit të motorit në orët e para të 1 majit.
“Pas kërkimeve të mundimshme nga ushtria jonë, ne kemi gjetur të gjallë katër fëmijët që u zhdukën pas një aksidenti avioni në Guaviare. Një gëzim për vendin”, tha Petro të mërkurën në një mesazh në Twitter.
Megjithatë, mediat lokale kanë raportuar se burimet e mbrojtjes nuk kishin konfirmim se fëmijët ishin gjetur.
Mendohej se si pasojë e përplasjes humbën jetën tre të rritur, përfshirë edhe pilotin dhe trupat e tyre u gjetën brenda aeroplanit, por fëmijët, 13, nëntë dhe katër vjeç, si dhe një foshnjë 11 muajshe i mbijetuan aksidentit.
Informacioni paraprak nga autoriteti i aviacionit civil, i cili koordinoi përpjekjet e shpëtimit, sugjeron se fëmijët ikën nga aeroplani dhe u nisën në pyllin tropikal për të gjetur ndihmë.
Ekipet e shpëtimit, të mbështetur nga qentë e kërkimit, kishin gjetur më parë fruta të hedhura që fëmijët hëngrën për të mbijetuar, si dhe strehimore të improvizuara të bëra me bimësi të xhunglës.
Aeroplanë dhe helikopterë nga ushtria dhe forcat ajrore të Kolumbisë kanë marrë pjesë në operacionet e shpëtimit.