Fitorja në zgjedhje me 40.79% të votave nga “Demokracia e Re” e kryeministrit Kiriakos Mitsotakis është historike, pasi harta e Greqisë është ngjyrosur blu nga veriu në jug, duke treguar se edhe “kështjellat” e majta kanë rënë.
Në 2,403,026 vota të fituara në zgjedhjet e djeshme bie në sy triumfi i “Demokracisë së Re” edhe në një bastion historik si Kreta, që kishte votuar majtas që nga viti 1974, ndërsa përjashtim në hartën blu bën vetëm Rodopi, që mbahet ende nga SYRIZA.
SYRIZA e Aleksis Tsipras pas rezultatit zhgënjyes me vetëm 20,07% të votave të fituara është në kolaps dhe, në disa rajone ku dikur ishte e fortë është renditur forcë e tretë pas PASOK-ut.
SYRIZA triumfoi në 10 rajone në zgjedhjet e 2019-ës dhe në zgjedhjet e sivjetshme arriti të shpëtojë vetëm një prej tyre. Kjo është gjithashtu një disfatë personale për Aleksis Tsipras, i cili humbi jo vetëm në rrethin e Artës, vendlindjen e tij, por edhe në fshatin e tij, Athamanio Artas, ku SYRIZA doli forcë e dytë.
Ndërkohë, në të tre rajonet ku ishte kandidat, Alexis Tsipras ishte nën mesataren e partisë së tij.
Ndryshe nga Alexis Tsipras, Kyriakos Mitsotakis triumfoi në vendlindjen e tij Chania.
Për herë të parë që nga viti 1974, Kreta në tërësi ngjyroset blu, pasi deri më sot ishte bastioni më i “fortë” i PASOK-ut dhe më pas i SYRIZA-s. Në Heraklion “Demokracia e Re” merr 35,46%, SYRIZA 22,94%, PASOK 21,81% dhe KKE 5,11%.
Në Prefekturën e Rethymno-s, sërish partia e Mitsotakis del forca e parë dhe merr 37.10% të votave, ndërsa SYRIZA tkurret në 21.03%, pas PASOK-ut që ka arritur të marrë 21.47%.
Në Serres, ku kandidat ishte edhe Alexis Tsipras, kryeson “Demokracia e Re” me 46,97%, ndërsa SYRIZA “shkërmoqet” përballë Mitsotakis dhe përfundon me 14,79% duke mos marrë mandat, si pasojë e ligjit elektoral.
Në Dodekanez, ku kandidat ishte sërish Alexis Tsipras, “Demokracia e Re” mori një përqindje faraonike, duke arritur në 49.93%, me SYRIZA që humb thellë duke përfunduar në 14.89%.
Në 10 qarqe exit poll-et nxorën fituese PASOK, që arriti të dalë vetëm forcë e dytë pas partisë së Mitsotakis, duke triumfuar kështu në një “derbi” të vështirë mes të majtës përballë SYRIZA.