E brishtë por e qetë” kështu vlerësohet situata në tri komunat në veri të Kosovës Zubin Potok dhe Zveçan e Leposaviç nga policia e Kosovës.
Qytetarët lokalë serbë kanë rrethuar të gjithë godinën e komunës e cila është e rrethuar nga barrikadat e hekurit të vendosura nga KFOR që qytetarët serbë të mos kalojnë
Gazetarja e RTK-së Arbresha Berisha në një lidhje direkte me Rtsh thotë se kryetari i komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi ka kaluar natën në godinën e komunës pasi për shkaqe sigurie nuk ka pasur mundësi të dalë jashtë.
Rreth orës 10:30 protestuesit serbë i kanë kërkuar KFOR që kryetari i komunë të largohet nga godina nga ana tjetër forcat e KFOR i kanë bërë apel për qetësi.
Rreth orës 11:00 Ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiç, së bashku me ish-deputetin serb, Slavko Simiç, janë lejuar të futen në Komunë, për të negociuar me kryetarin aktual, Lulzim Hetemi, që ky të largohet nga objekti.
Protestuesit serbë kanë bërë dhe provokime në drejtim të mediave ndërkohë policia e Kosovës thotë se sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante.
“Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme” thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.
Ditën e djeshme protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë. Deri tani flitet për rreth 30 ushtarë të KFOR të plagosur.