Për herë të parë, shikuesit në Tokë patën një shans për të parë Marsin pothuajse në kohë reale.
Agjencia Evropiane e Hapësirës transmetoi në YouTube imazhe të drejtpërdrejta historike direkt nga planeti i kuq.
Imazhet, të shpërndara në YouTube, llogarinë e ESA-s në Twitter me hashtag #MarsLIVE , treguan planetin në një mënyrë që nuk ishte parë kurrë më parë, tha ESA.
Eventi vinte me rastin e 20-vjetorit të lëshimit të orbituesit Mars Express, një mision që ka si qëllim marrjen e imazheve tredimensionale të sipërfaqes së planetit për ta parë atë në detaje më të plota.
“Normalisht, ne shohim imazhe nga Marsi dhe e dimë se ato janë marrë ditë më parë”, tha James Godfrey, menaxher i operacioneve të anijeve kozmike në qendrën e kontrollit të misionit të ESA-s, në Darmstadt, Gjermani.
“Jam i emocionuar të shoh Marsin siç është tani, aq afër sa mund të arrijmë një të tashme marsiane.”
Por a nuk kemi pasur më parë pamje “live” nga Marsi? Sipas ESA-s, jo.
Shpesh të dhënat dhe vëzhgimet e planetit të kuq merren kur një anije kozmike nuk është në kontakt të drejtpërdrejtë me Tokën, kështu që imazhet ruhen derisa të mund të kthehen, shpjegon ESA.