Shtetet e Bashkuara kanë ngritur alarmin për praninë e algave toksike, që janë shfaqur së fundmi në bregun jugor të Kalifornisë, të cilat kanë shkaktuar ngordhjen e qindra balenave dhe luanëve të detit.
Më shumë se 1000 kafshë detare kanë ngordhur ose janë sëmurë në bregun jugor të Kalifornisë në qershor, sipas një lajmi të BBC-së, bazuar në të dhënat nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA).
Ekspertët kanë vënë në dukje se arsyeja e kësaj situate janë algat toksike që janë shfaqur në rajon. Duke theksuar se algat helmuese janë sezonale, ekspertët kanë paralajmëruar se ndryshimi i klimës mund ta përkeqësojë këtë problem.
“Dëgjoj për shumë njerëz që ecin në plazh dhe hasin në kafshë të sëmura ose të ngordhura”, ka thënë David Caron, një studiues i shkencave biologjike në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
Duke deklaruar se “acidi domoik” i prodhuar nga algat përhapet nëpërmjet zinxhirit ushqimor midis kafshëve, Caron ka thënë se butakët dhe disa peshq e konsumojnë këtë helm dhe më pas specie të tilla si luanët e detit, balenat dhe shpendët e detit që hanë këto kafshë helmohen.
Caron ka shtuar se ekipet e mbrojtjes së kafshëve po ndërhyjnë te kafshët e sëmura me të gjitha mundësitë. Sipas të dhënave të NOAA-së, më të prekur nga kjo situatë janë plazhet në Santa Barbara dhe Ventura.