Nëna dhe djali i saj 5-vjeçar kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të mëdha që kanë përfshirë qytetin e Pejës.
Policia bëri të ditur se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte zhdukur si pasojë e vërshimeve.
Ndërkaq, kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri u shpreh i tronditur me rastin tragjik që ndodhi në Pejë.
Muhaxheri shprehu ngushëllime për vdekjen e nënës dhe të fëmijës. Ai e quajti situatën në Pejë si të rëndë dhe të hidhur.
“Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore”, shkroi Muhaxheri në Facebook.
Nga ana e tij, ministri i FSK-së, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se njësitë e kërkim-shpëtimit janë nisur për në Pejë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve në këtë gjendje të rëndë.
“Njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t’iu dalur në ndihmë në këtë gjendje të rëndë.
Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë”, ka shkruar, mes tjerash, minsitri Mehaj.