Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar 2 korrikun, duke theksuar se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës, hapi rrugën për përmbushjen e “ëndrrës shekullore” për Kosovën Republikë.
“Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim. Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.
Osmani thekson se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është një ngjarje emblematike, e cila sipas presidentes shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi.
“2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe. Urime 2 Korriku, qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!”, ka nënvizur Osmani.
Këtë të diel janë mbushur 33 vjet që kur delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, kur Kosova u shpall njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që ka shënuar hapin historik institucional të pavarësisë së Kosovës, e zhvilluar jashtë Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.