Kontingjentet shqiptare të Forcave të Armatosura, pjesë e Komandës Perëndimore në Kosovë, do të vijojnë misionin e tyre si pjesë e KFOR-it.
Lajmin e jep në rrjetet sociale Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Sipas tij vijimi i misionit, u konfirmua përmes një ceremonie të zhvilluar posaçërisht, ku “Kontingjentet shqiptare, pjesë e Komandës Perëndimore Kosovë i dorëzuan njëra-tjetrës flamurin për të vijuar misionin si pjesë e KFOR”.
Ceremonia u zhvillua në “Camp Villaggio Italia”, seli e Komandës Rajonale Perëndimore (RC-W) të KFOR-it.
“Efektivët tanë u nderuan me medalje nga NATO dhe 4 prej tyre nga Ministria e Mbrojtjes e Italisë, për kontributin e dhënë për ruajtjen e paqes e sigurisë!” thekson Ministri Peleshi.
Komanda Rajonale e KFOR-it Perëndimor po zhvillon prej së martës stërvitjen “Big Rock”, në pjesën perëndimore të Kosovës.
Stërvitja, e cila është rutinë ushtarake do të kryhet nga kontingjenti shumëkombësh RC-W dhe do të përmirësojë gatishmërinë dhe përgatitjen e njësive.